zoom

In Zoom

Presidenti Bajram Begaj, Gjenerali që ka frikë të flasë

Bajram Begaj u zgjodh president në qershor përmes një procesi jo pak të kontestuar nga opozita.

Megjithëse vinte nga fusha e ushtrisë, pasi deri në ato momente mbante pozicionin e Shefit të Shtabit të Ushtrisë, opozita hodhi hije dyshimi se ai ishte një lodër e kryeministrit Edi Rama dhe se nuk do të ishte në gjendje të ishte simbol i unitetit të shqiptarëve.

Por pavarësisht këtyre dyshimeve, ai më 26 korrik, teksa mori zyrtarisht detyrën e Kreut të Shtetit, u zotua se do të ishte në lartësinë e nevojshme për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët pavarësisht përkatësive politike apo sociale.

Në fakt deri më tani, Presidenti i ri i Republikës nuk ka arritur të tregojë asgjë në këtë drejtim.

Ndonëse ka më pak se një muaj në detyrë, ai ka patur disa raste, ku jo vetëm që duhet të shprehte qendrimin e tij, por edhe i është kërkuar me ngulm nga një pjesë e shoqërisë që të reagonte.

Rasti më i rëndë dhe që solidarizoi një pjesë të madhe të shoqërisë ishte ai i vrasjes nga një funksionar i lartë i policisë, i 7-vjeçare Jonada Avdia, në Potam të Himarës.

Për këtë ngjarje reaguan të gjithë aktorët politikë dhe shtetëror, duke shprehur ngushëllime dhe duke kërkuar dënimin e rreptë të autorit, por me përjashtim të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Ndërsa opinion publik u trazua keq nga një ngjarje e tillë, për Kreun e Shtetit nuk kishte ndodhur asgjë. Ai nuk denjoi të bëjë qoftë edhe dy reshta mesazh ngushëllimi për prindërit e vogëlushes, e cila humbi jetën teksa luante në breg të detit.

Madje nuk ishin të pakta edhe figura të njohura publike që i bënë thirrje publike Begajt të reagonte. Por më kot, Kreu i Shtetit kishte “kyçur” gojën.

Një veprim ky që tregon se, ose ai kishte frikë t’i thoshte gjerat siç janë, ose kërkoi t’i përcillte një mesazh qeverisë me heshtjen e tij.

Nisur nga mënyra si u zgjedh, kjo e dyta duket më pak e besueshme, ndaj na mbetet të mendojmë se Kreu i Shtetit ka frikë nga mazhoranca që të reagojë.

Por sikur të mos mjaftonte ky rast, sot Presidenti i Republikës na vërtetoi edhe një herë se ka frikë të flasë, megjithëse vjen nga një fushë si ajo e ushtrisë dhe ku frika është gjeja e fundit që duhet të mendohet.

Ai zhvilloi vizitën e parë të tijën si president jashtë vendit dhe për këtë zgjodhi Kosovën.

Por ndryshe nga paraardhësit e tij, ai nuk preferoi të mbante një konferencë pas takimit me homologen e tij kosovare, por zgjodhi të lexoi një deklaratë, duke mos i dhënë mundësi gazetarëve ta pyesnin për zhvillimet në Shqipëri, pse jo dhe për ato në Kosovë.

Burime për Zoom.al bëjnë të ditur se ishte kërkesa e Presidentit të Shqipërisë që gjatë vizitës së sotme të mos kishte një konferencë me gazetarët, por vetëm një deklaratë.

Kjo pasi Begaj nuk ka dashur sërish që të flaës dhe t’i përgjigjej interesit të mediave për zhvillimet e aktualitetit politike dhe jo vetëm./Zoom.al