zoom

Politikë

Presidenca si agjenci turistike/ Begaj me “delegacion” në SHBA , merr edhe parukieren me vete

Presidenti Bajram Begaj do të marrë pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Së bashku me Presidentin Begaj kanë shkuar dhe 22 persona, si këshilltarë, gazetarë, Zonja e Parë Armanda Begaj dhe djali i tyre.

Por ajo që bie në sy është se në listën e personave që do të shkojnë në OKB është edhe parukierja e Zonjës së Parë, Lili Ismaili, ndonëse e cilësuar si këshilltare e jashtme.

Por ky nuk mbetet i vetmi rast, pasi në cilësinë e këshilltarit, Begaj ka marrë në New York edhe Asllan Barajn dhe Zhaneta Hashorvan, që merren me biznesin e tullave.

Në një shkrim në Facebook, aktivistja Elona Caslli shkruan se presidenti Bajram Begaj, në udhëtimin e tij të fundit në SHBA ka marrë edhe “delegacion” me vete, duke e kthyer Presidencën në një agjenci turistike.

“Presidenti do të shoqërohet nga një grup prej 22 vetash. Ajo çka t’i vret sytë dhe e redukton Presidencën në një Agjenci Turistike është prania e 3 emrave.

Lili Ismaili është një parukiere e njohur në kryeqytet. Përveç aftësisë si parukiere, na rezulton se zonja në fjalë ka aftësi edhe si këshilluese për presidentin, pasi ka udhëtuar bashkë me të në cilësinë e këshilltares. Përveç këshillave presidenciale rezulton se Lili Ismaili kujdeset dhe për pamjen e zonjës së parë të vendit sistematikisht.

Pra, mjafton të krehësh flokët e zonjës së parë dhe përfaqëson Shqipërinë në punimet e Organizatës së Kombeve te Bashkuara si këshilltare e presidentit.

Meqënëse çështja e flokëve u sistemua, hidhemi te çështja e tullave. Dikush mund të pyesë me të drejtë se ç’hyjnë tullat në këtë mes.

Asllan Baraj dhe Zhaneta Hashorva janë dy emra të tjerë të agjencisë turistike presidenciale. Sipas listës Baraj është Këshilltar i Jashtëm, por në faqen zyrtare të Presidencës emri i tij nuk shfaqet kund. Ndërsa Zhaneta Hashorva është shoqëruesja e zonjës së Parë. Rezulton se Baraj dhe Hashorva janë çift dhe zotërojnë një kompani me emrin “Euro Ceramica,”- shkruan Elona Caslli.