zoom

Sport

Prapaskena e takimit në Karaibe, si Pique i tha De Ligt-it të mos transferohej te Barcelona

Gerard Pique thuhet se i ka thënë Matthijs de Ligt-it që të mos transferohej te Barcelona në vitin 2019, pasi nuk do të luante asnjë minutë, gjë e cila ndikoi që mbrojtësi holandez të zgjidhte Juventusin.

Holandezi u largua nga Ajax për 70 milionë euro në verën e vitit 2019, pasi udhëhoqi gjigantët holandezë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe u transferua në Torino.

22-vjeçari më në fund po shijon një ecuri të mirë nën drejtimin e Masimiliano Allegri-t, pasi nuk arriti të uzurpojë dyshen me përvojë të Leonardo Bonucci-t dhe Giorgio Chiellini-t nën drejtimin e mëparshëm, por historia e tij mund të kishte qenë kaq e ndryshme.

Sipas gazetës spanjolle SPORT, qendërmbrojtësi i Barcelonës, Pique u takua me De Ligt gjatë pushimeve në Karaibe në vitin 2019, kur holandezi po zgjidhte se cilit klub do t’i bashkohej – dhe i këshilloi atij që të shpërfillte katalanasit.

Raporti shton se Pique i tha Di Ligt se ai nuk do të kishte asnjë minutë te Barcelona. Mbrojtësi i ri njihet si qendërmbrojtësi i djathtë, i cili është roli që Pique ka aktualisht në Camp Nou.

Pique dhe Clement Lenglet ishin qendërmbrojtësit e parë te Barcelona në atë kohë, por De Ligt thuhet se ishte i prirur të sfidonte dyshen katalanas për një vend titullari.

Menjëherë pasi u transferua te Zonja e Vjetër, De Ligt konfirmoi se PSG ishte gjithashtu në garë për të atë verë – së bashku me Barcelonën dhe Juventusin – por ai ndjeu se gjigantët e Serisë A do ta ndihmonin atë të bëhej një futbollist i plotë.

Pavarësisht se më në fund mori disa minuta në Juventus këtë sezon, përfaqësuesi i De Ligt – agjenti Mino Raiola pranoi para afatit kalimtar të janarit se mbrojtësi holandez po kërkon një sfidë të re.