zoom

Ide & Blog

Pranvera e ankthit të Veliajt

Nga Andi Bushati

Kush e ndjek rregullisht Instagramin e kryeministrit me siguri është habitur që në albumin e fotove që ai botoi nga nderimi për dëshmorët në 5 maj, ishte publikuar edhe një pozë e Erion Veliajt duke u përkulur para monumentit nënë Shqipëri.

Në përzgjedhjen aspak të rastësishme të imazheve dukej sikur po tentohej të mbahej gjallë polemika nëse ai e ka shituar apo jo, delfinin e vet.

Pak ditë më parë, natyrisht jo në mënyrë të pafajshme, me një tjetër publikim të denjë për retushimet e kohëve staliniste, Rama e fshiu kryebashkiakun nga fotoja e përbashkët familjare me Ali Ahmetin.

Kjo lojë, tipike e diktatorëve, herë me përkrahje dhe herë me distancim, po mban në ankth komunikimin me publikun, që kur plasi skandali ‘5D’, ai drejtorëve të bashkisë që grabisnin paratë e buxhetit për t’i dërguar në favor të kompanisë së tyre private.

Nganjëherë duket sikur Rama e mbështet dhe pastaj sikur ua lëshon turmave të uritura kufomën e Veliajt. Në njërin rast ai organizon një deklaratë të përbashkët të rakorduar, ku pohon se bashkohet ‘me fjalë dhe presje’ me versionin e Lalit, se edhe atë e kanë gënjyer vartësit, ndërsa në rastin tjetër nuk nguron të inkurajojë SPAK që ‘ti nxjerrë ujin e zi’ korrupsionit në bashkinë e Tiranës.

Në një vizitë në qendër të kryeqytetit ai e shmang të parin e tij nga protokolli, ndërsa në një eveniment tjetër ‘e lejon’ atë të bëhet pjesë e ceremonisë.

Këto rrokullisje të denja për lojërat e akthit të maleve ruse, të sjellin ndërmend marrëdhënien në çift të dy prej udhëheqësve më të shquar të komunizmit shqiptar, të përshkruar mrekullisht në një nga kryeveprat e letërsisë politiko memoristike shqiptare.

Në librin e tij, ‘Vjeshta e ankthit’, i biri i ish kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkimi, tregon ditët e fundit para vdekjes së babait të vet dhe ankthin me të cilin familja perceptonte sinjalet herë negative dhe herë pozitive që i lëshonte sekretari i parë. Një ditë Enveri e shtinte në dhè Mehmetin, duke i kujtuar se gabimet e tij nuk qenë të rastësishme dhe kur ky i fundit bindej se fati i tij qe përcaktuar, i jepte shpresë duke i rrahur krahët, pasi kontributet e tij për partinë qenë të pazëvendësueshme.

Pikërisht ajo vjeshtë ankthi e njeriut që e di se fatin e tij e ka në dorë dikush tjetër, që mund të bëjë njëkohësisht dhe shiun dhe diellin, të kujtohet kur sheh lojën e maces me miun që po torturon Erion Veliajn. Kohët dhe rrethanat janë të tjera, por plotfuqishmëria e atij që ka pushtetin të vendosë për fatin tënd ngelet e njëjta.

Natyrisht, evokimi i këtij asociacioni, sado interesante të jetë sprova psikologjike e marrëdhënieve të tiranëve me ata që kanë pranë, nuk ka për qëllim të eksperimentojë në këtë drejtim. E vetmja ngjashmëri është ajo se në regjimet diktatoriale apo autoritare, fati i aleatëve politikë apo i kundërshtarëve, ai i vartësve apo i armiqve, nuk është në dorë të institucioneve, por pre e kalkulimeve, interesave apo kapriçove të atij që ka në dorë të luajë me të.

Kjo vërtetohet më së miri edhe në pasqyrimin që po i bëjnë mediat tona, gazetat online dhe emisionet politike të mbrëmjes, çdo sinjali, simboli apo mesazhi që jep Edi Rama kundrejt Veliajt. Një publikim fotoje, apo e kundërta një retushim i saj, një paraqitje në krah të liderit apo shpangja prej aty, një frazë mbështetëse apo sfilitëse, kthehen në ngjarje publike.

Deri më tani, sa e sa shkrime apo emisione janë bërë, nisur nga këto indicie, duke pasur si temë të vetme: a do e lëshojë apo jo Rama Veliajn? Është pikërisht ky fakt që tregon së në ç’zyrë vendoset realisht për fatin e kryebashkiakut.

Sa herë ngrihet kjo pyetje, në mënyrë gati, gati të pandërgjegjshme, qoftë mbështetësit e kësaj qeverisjeje, që janë në shumicë edhe përkrahës të zjarrtë të SPAK, qoftë ata që janë kritikë të tyre, gati instiktivisht pranojnë plotfuqishmërinë e Edi Ramës. Mafton kjo, po, po, pikërisht qoftë edhe vetëm kjo, për të kuptuar se e ardhmja e Veliajt nuk do varet as nga dosjet e prokurorëve, as nga 130 milionët e zhdukura të inceneratorit, as nga 30 milionë tenderat e Qatos, Mollës e Tushës, por nga kalkulimet e një njeriu të vetëm.

Para se të jetë një problem i drejtësisë, në një regjim si ky yni, dosja e Lalit është politike. Prandaj në këtë pranverë, ai dhe të gjithë ata që ka përreth, po qëmtojnë me ankth sinjalet kundërthënëse të një loje si ajo që Hoxha bëri dikur me Shehun.