zoom

Aktualitet

Prag tragjedia në Shkodër/ Nëna e 27-vjeçares zbardh detaje tronditëse: Burri e kërcënoi me armë

Nëna e 27-vjeçares, që një ditë më parë tentoi të hidhet nga lumi Buna së bashku me 4 fëmijët e saj të mitur, ka zbardhur detaje tronditëse nga ngjarja.

Ajo ka rrëfyer në një intervistë televizive se vajza prej kohësh ishte kthyer të jetonte në shtëpinë e prindërve së bashku me fëmijët për shkak të problemeve që kishte me bashkëshortin e saj.

Ky i fundit, sipas nënës së 27-vjeçares, kishte krijuar një lidhje të dytë dhe shpesh debatonte dhe kërcënonte vajzën.

“Vajza ka ikur nga shtëpia sepse bashkëshorti i saj kishte një lidhje të dytë me një grua tjetër edhe ajo me katër fëmijë. E ka kërcënuar disa herë vajzën time dhe e ka lënë të vetme me 4 fëmijë duke i thënë dil nga shtëpia. Madje e ka kërcënuar edhe me armë para disa muajsh. Vajza e ka denoncuar por nuk është marrë asnjë masë. Bashkëshorti ka dhunuar fëmijët dhe ka ushtruar edhe dhunë psikologjike ndaj vajzës time.

Kjo histori vijon prej vitesh. Vajza ka qenë edhe në një qendër strehimi në Tiranë dhe ka patur urdhër mbrojtje por bashkëshorti i saj ka shkuar atje edhe pse nuk lejohej dhe ka takuar fëmijët. Madje ajo qendra tre ditë përpara se të dilte sepse 6 muaj ishte afati ia ka mbushur mendjen vajzës që të ribashkohet me bashkëshortin.

Më përpara donin ta nxirrnin nga aty duke i thënë që shih e gjej një punë e shtëpi në një kohë që ajo është me katër fëmijë dhe nuk ka si të punojë. Shteti është në dijeni të gjithë kësaj historie por gjithë këto vite nuk kanë bërë asgjë”, tha nëna e 27-vjeçares.

Kur e reja ishte gati për të kryer aktin ekstrem në Bunë, ajo i ka shkruar nënës së saj.

“Vajza kishte ardhur tek shtëpia jonë për shkak të problemeve që bashkëshorti i ka sjellë për 9 vite me radhë. Ne e kemi mbështetur gjithmonë vajzën dhe do vazhdojmë ta mbështesim pavarësisht situatës së vështirë.

Po bënim një diskutim me vajzën sepse donte të bënte një aplikim në e-albania tek bashkia Shkodër për strehim por më tha se nuk kam lekë. I thashë t’i japë unë. Në diskutim e sipër mori fëmijët dhe doli jashtë. Këtë gjë e ka bërë disa herë. Pas pak kohësh na dërgoi një audio mesazh dhe tha se jam te ura e Bunës. Në atë moment njoftuan policinë, erdhën menjëherë dhe arritëm ta gjejmë.

Nuk arrita të flas me vajzën sepse nuk na lejoi policia. Më pas në komisariat i ka dhënë dorën, i putha fëmijët dhe i dhashë 20 mijë lekë të vjetër sepse aq kisha. Më kanë thënë se është në një qendër por nuk e di se ku, nuk kam komunikuar ende me vajzën”, shpjegoi nëna e 27-vjeçares.

E reja u shpëtua një ditë më parë falë ndërhyrjes në kohë të policisë, e cila u njoftua nga familjarët e saj.

Postime të lidhura