zoom

Ide & Blog

Pra, për sulmet kibernetike fajin deri më sot e ka patur ligji

Nga Ola Xama

Ligji i vjetër nuk i jepte të drejtë Drejtorit të AKSHI-t që të shkarkonte kur i duhej punonjësit që performonin dobët pasi kishin statusin e nëpunësit civil.

Po ashtu AKSHI nuk arrinte dot të rekrutonte nivelin më të mirë profesional sepse pagat ishin në nivele të ulta krahasuar me tregun.

Për këtë arsye qeveria me një akt normativ po e nxjerr Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit nga statusi i nëpunësit civil dhe po i jep të drejtë që të shpërblejë punonjësit deri në 8 milion lekë të vjetra në muaj për vështirësi në punë.

Me këtë mentalitet që ka nisur në qeverisje, ligji  “Për Nëpunësin Civil”, pjesë e paketës së famshme të “3 ligjeve”, që mbajtën peng për disa vjet marrjen e statusit kandidat të vendit, po shkon drejt shfuqizimit total.

Shumica e agjencive shtetërore, kryesisht ato që kanë tortën më të madhe të tenderave publikë: Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, Autoriteti Rrugor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit etj., lidhin kontrata punësimi në bazë të Kodit të Punës. Penaliteti për shkarkimin nga puna të punonjësve sjell vetëm dëm ekonomik për institucionet pas përfundimit të gjyqit në apel, dhe i lehtëson barrën për rikthimin në punë apo derdhjen menjëherë të dëmshpërblimit në paga që do të detyroheshin në rastin kur ata do të ishin me statusin e “nëpunësit civil”.

Kjo puna e marrjes së punonjësve me Kod Pune, ka bërë shpesh që administrata të kërcënohet për hedhjen e firmës me vendin e punës, ndërsa në shumë agjenci të tilla, lëvizjet dhe shkarkimet e stafit të “pabindur” janë bërë të përjavshme.

Ky veprim jo vetëm që është një kthim pas në reformën në administratën publike, por po çon qeverisjen dhe drejtimin e agjencive drejt një modeli autokrat dhe të dëmshëm për shërbimet publike dhe standardet e mirëqeverisjes.