zoom

Lajme

Porti i Durrësit, PD propozon komision parlamentar: SPAK të verifikojë hetimet e mediave gjermane

Partia Demokratike propozon hetimin me komision parlamentar për çështjen e portit të Durrësit.

Përmes një reagimi në rrjetin e tij social Facebook, kreu i grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se afera e Portit të Durrësit është një nga aferat më të mëdha të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, që duhet të hetohet me seriozitet dhe pa asnjë vonesë.

Demokrati bën me dije se në mbledhjen që Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi zot,  u vendos që mbi këtë aferë të kërkohet një hetim i plotë parlamentar.

PD bën thirrje SPAK-ut që  të verifikojë investigimet e mediave gjermane.

“Grupi Parlamentar i PD nxit Prokurorinë e Posaçme që sa më parë dhe pa asnjë hezitim të hetojë dhe verifikojë të gjitha investigimet e kryera mbi këtë aferë skandaloze korruptive dhe që dyshohet se ka fije të lidhura me krimin e organizuar ndërshtetëror”, shkruan Bradhi në Facebook.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

“Afera e Portit të Durrësit që sipas investigimeve serioze të mediave gjermane ka gjurmë që shkojnë deri në Ekuador dhe Kolumbi, është një nga aferat më të mëdha të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, që duhet të hetohet me seriozitet dhe pa asnjë vonesë. Për këtë qëllim, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u vendos që mbi këtë aferë të kërkohet një hetim i plotë parlamentar.

Transparenca mbi pasuritë publike dhe veçanërisht verifikimi dhe prerja e lidhjeve të krimit të organizuar me projekte madhore strategjike të vendit, duhet të jetë misioni i Kuvendit në periudhën e mbetur të kësaj Legjislature.

Grupi Parlamentar i PD nxit Prokurorinë e Posaçme që sa më parë dhe pa asnjë hezitim të hetojë dhe verifikojë të gjitha investigimet e kryera mbi këtë aferë skandaloze korruptive dhe që dyshohet se ka fije të lidhura me krimin e organizuar ndërshtetëror.”