Aplikacion
Çmimet e naftës së papër punuar në bursë, edhe pse kaluan nga 128 dollarë për fuçi që ishin në 8 mars, në 98 dollarë në datën 15 mars (29% më pak), po aq sa ishte edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, nuk ndikuan te çmimet e naftës së përpunuar. Çmimi i naftës në distributorët me pakicë vazhdon të jetë mbi 200 lekë litri. Kjo tregon se çmimi i naftës sot në tregun shqiptar, por jo vetëm, është i pajustifikuar.
Praktikisht, sot ne paguajmë rreth 25 lekë më tepër në litër sesa duhet të ishte realisht në treg.
Nafta nuk është i vetmi produkt që ka një çmim në treg më të lartë se ai që duhet të kishte. Është rritur çmimi i misrit, i sojës, i grurit, i nitratit, i sheqerit, i orizit, ky i fundit nuk prodhohet në Rusi apo Ukrainë.
Sot, vaji i lulediellit kapi vlerën e rreth 340 lekë për litër nga 250 lekë që ishte në shkurt (32.5% më shumë). Përkundrazi, tregtarët e shumicës thonë se në prill mund të kapë vlerën e 500 lekë për litër.
Shqiptarët harxhojnë mesatarisht rreth 42% të buxhetit për konsumin e të mirave ushqimore dhe pijeve joalkoolike (nga 17% që është mesatarja e Bashkimit Europian). Një familje sot vetëm nga rritja të çmimeve mesatare me 25% të produkteve ushqimore duhet të shpenzojë 16.700 lekë më tepër për të ruajtur të njëjtat standarde jetese.
16.700 lekë janë gati 2 herë më shumë se ndihma sociale që po jep qeveria për të varfrit. Nëse do t’i referohemi databases së pagave që u publikua pak muaj më parë, rezultonte se rreth 40% e atyre që përfitonin një pagë merrnin rreth 30 000 lekë. Mendoni se sa e vështirë është për ta rritja e shpenzimeve me mbi 55% të pagës së tyre. Ndërkohë që nuk kemi një indeksim të inflacionit në paga.
Por, si filloi kjo rritje çmimesh?!
Vendimi i Joe Biden për t’u fokusuar te biodiesel dhe bioetanoli bëri që çmimet e misrit të rriteshin me mbi 60% përgjatë 2021, e të njëjtin trend pati soja (80%), vaji i palmës (53%) apo sheqeri (44%).
Rritja e dytë ishte ajo e energjisë kur në G20 u vendos të mbylleshin centralet me qymyr dhe të reduktohej ndotja.
Paradoksalja ishte se kërkesa “reale” e pothuajse të gjithë të mirave të mësipërme qëndroi e pandryshuar, pra, u rritën çmimet pa rritje të kërkesës apo pa reduktim të ofertës. Kjo të çon të mendosh se edhe në këto ditë që ka luftë në Ukrainë, pjesa dërmuese e rritjes së çmimeve nuk kanë ardhur nga lufta, ato kanë natyrë financiare, pra çmimet po rriten kryesisht si pasojë e spekulimit. E thënë ndryshe, rritja e prodhimit të përgjithshëm bruto në nivel global dhe vonesat në dërgimin e mallrave stimuluan rritjen e parë të çmimeve në tërësi që filloi në tremujorin e fundit të 2021, ndërsa spekulimi financiar bëri pjesën tjetër.
Pandemia fillimisht e në vijim lufta ka stimuluar atë që në ekonomi quhet si fenomeni “financa prodhon financë” duke dëmtuar tregun dhe konsumatorët. Ky fenomen prodhon atë që njihet ndryshe si inflacioni i “droguar”, që përkthehet në rritje të varfërisë.
Tregu i energjisë dhe i lëndëve të para po ashtu si tregu i aksioneve është i karakterizuar nga futures, pra, nga premtimi për të blerë në të ardhmen me një çmim që e përcaktoi sot. Blerësi parashikon një rritje të çmimit dhe pretendon të ketë përfitim ndërsa ai që shet shpreson të ketë një rënie të çmimeve.
Spekulimi bëhet kur parashikohet rritje dhe kjo rritje e çmimeve kalon në një efekt zinxhir, duke dëmtuar kështu si konsumatorët po ashtu edhe prodhuesit. Për ta bërë më të thjeshtë, gruri, vaji, orizi që ne konsumojmë sot nuk prodhohet në çast, është prodhuar në të kaluarën, po ashtu edhe tregtarët e shumicës, kontratat dhe përcaktimin e çmimeve i kanë bërë në të kaluarën.
Ajo që ndryshon është vetëm kosto e transportit që sigurisht ka pasur rritje, por jo sa për të justifikuar çmimet që janë sot në treg. Konkretisht, nafta që ne konsumojmë sot ka muaj që ka arritur në Shqipëri në zonat e lira ekonomike (Petrolifera, Spitallë), por që shitet te grosistët shqiptarë me një çmim që varion nga dita në ditë në varësi të bursës. Pra, kush fiton nga kjo histori, tregtari i huaj që ka sjellë naftën në zonën e lirë? Në një skenar të tillë “stagflacioni”, politika monetare gjendet në situatën e komplikuar që duhet të ndalojë inflacionin që vjen nga faktorët e ofertës dhe vetë politika monetare nuk ka influencë. Edhe nëse e bën këtë ndërhyrje, do të vështirësojë ciklin ekonomik që është në frenim e sipër tashmë.
Politika fiskale po ashtu në një situatë në të cilën gjendet, me një borxh publik të lartë i “ka duart” e lidhura për të mbështetur konsumatorët. Ndërsa qeveria në vetvete duke pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve “përfiton” nga situata duke rritur të ardhurat fiskale si pasojë e rritjes së çmimeve. P.sh, sot nafta është gati 20 lekë më tepër se sa “duhet” të ishte në treg.
Në momentin që shitet rreth 650 mijë tonë naftë në vit apo rreth 1800 tonë në ditë, vetëm nga kjo rritje fiton gati 300 mijë euro më tepër në ditë si pasojë e shtimit të TVSH-së apo 9 milionë euro në muaj. Ndërsa nga rritja e ndjeshme e të gjitha çmimeve në kompleks të qeveria përfiton shtesë rreth gati 75-100 milionë euro në muaj të ardhura. Pra, përveç spekuluesve të shumicës në nivel global apo kombëtar një “përfitues” tjetër është edhe qeveria nga “fiscal drag”. Konsumatori final është ai që “vuan” pasojat e rritjes së çmimeve.
Zgjidhjet e mundshme në këtë rast janë lufta ndaj evazionit dhe spekulimit duke reduktuar në vijim barrën fiskale (në Shqipëri importohet më pak naftë se në Kosovë që ka shumë më pak banorë se Shqipëria) e kjo të çon të mendosh që mund të ketë evazion. Kontrolli i përkohshëm i marzhit të fitimit të tregtarëve dhe gjobitja e atyre që abuzojnë. Rishpërndarje e të ardhurave duke ndihmuar shtresat në nevojë. Si dhe indeksimi i inflacionit në pensione dhe paga.