Aplikacion
Njerëzit që ai qeveris ndihen të indimiduar se çfarë mendon ai dhe do. Është shumë e vështirë ta kundërshtosh atë. Ai nuk i do të pabindurit.
Pasuritë e vendit ua ka dhënë klientëve, familjes dhe ministrave të tij. Fjalimet e tij para marrjes së pushtetit u dhanë njerëzve shpresë. Por korrupsioni vijoi dhe ai tha: “është shumë e qartë që po lundrojmë në një anije që po fut ujë nga shumë vrima. Kështu që kam vendosur ta ndaloj”.
Por më vonë ai nisi të përdorë strukturat ekonomike dhe politike të vendit për interesat e tij.Kompanitë e mëdha i shtuan fitimet, por populli nuk përfitoi gjë. Ai vetë ndërtoi një ndërtesë të çuditshme dhe të kushtueshme për veten. Opozita denoncon korrupsionin dhe nepotizmin. 40 milionë në muaj humbasin nga korrupsioni çdo vit.
Studentët u ngritën në protestë kundër përkeqësimit të kushteve. Policia dhe strukturat e tjera nisin t’i përndjekin.
Opozita u ngrit në protesta. Policia u përgjigj me dhunë. Nuk kurseu as drejtuesit e saj. Ai e ka fuqizuar policinë, por e përdor për të rrahur dhe për t’u hedhur gaz protestuesve.
Fermerët nuk ia dalin dot duke punuar tokat e tyre. Shteti nuk i ndihmon. Të rinjtë shohin shpresë te emigracioni.
Ai kontrollon pjesën dërrmuese të mediave. Për shkak të propagandës, qytetarët nuk e kuptojnë atë që po ndodh.
Herë pas here ai fton qytetarët në bashkëbisedim. Por njerëzit në këto takime nuk shprehin ndonjë mendim disident. Nuk flasin kundër atij dhe qeverisë. Ato janë platforma ku qyetarët që ftohen bëjnë fushatë për atë dhe qeverinë dhe për të kapur ndonjë post ose për të përfituar personalisht. E thonë hapur se duan atë, duan qeverinë, nuk duan që të vijë dikush tjetër në pushtet.
Ai thotë se njerëzit janë të lirë të thonë atë që mendojnë dhe e quan këtë demokraci. Këta njerëz janë shndërruar në mjete që ai i përdor për pushtetin dhe qëllimet e tij dhe për t’i kundërvënë kundër atyre që mendojnë ndryshe. Ai thotë fjalën e fundit për çdo gjë.
Pushteti nuk kontrollohet vetëm duke luftuar kundështarët me polici, por edhe duke përdorur çdo mjet, festë kombëtare apo ceremoni për të bërë propagandë. Ai u bën thirrje qytetarëve të dalin të festojnë dhe i sheh grumbullimet festive si mbështetje për të.
Ai është politikani që e ka ndryshuar kushtetutën në emër të demokracisë, por e ka përdorur për pushtetin personal.
Njerëzit ende përpiqen të kuptojnë se si nuk ka ende ujë të pijshëm, si nuk ka vende pune, si arsimi është në rënie, si janë të lidhura këto me njeriun që po na qeveris?
Ky është mbreti Mswati III i Zwazit, një vendi të vogël në Afrikën Jugore. Çdo ngjashmëri me personazhe të tjerë, është e rastësishme. /Zoom.al