Aplikacion
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.
Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Arjon Hasaj, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”;
Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë, ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik.
Falënderoj qytetarët, për mbështetjen dhe besimin, dhe dua t’i siguroj ata se Policia e qarku Shkodër është tërësisht e angazhuar për të intensifikuar hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
I garantoj qytetarët se Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Shkodrës, është e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Duke i uruar qytetarët e qarkut Shkodër, për një vit sa më të mbarë, i ftoj edhe një herë të besojnë dhe të mbështetin më shumë Policinë e qarkut dhe atë të Kufirit, që bashkërisht të parandalojmë ngjarjet kriminale dhe paligjshmërinë, për të krijuar një imazh të ri për këtë qark, që simbolizon qytetarinë dhe garanton një ambient sa më të sigurtë për të ardhmen e fëmijëve tanë.