zoom

Aktualitet

Policia shpëton 2 turistët lituanezë, kishin ngecur te “Gjiri i Anglezit” në Himarë

Policia Kufitare Himarë u shkoi në ndihmë dhe shpëroi orët e vona të natës 2 turistëve lituanezë, të cilët ishin bllokuar në “Gjirin e Anglezit”, gjatë një turi personal që po zhvillonin në terrenin e rrezikshëm shkëmbor.

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Vlorë ka marrë njoftim për 2 turistë lituanezë që ishin duke bërë ecje në vendin e quajtur “Gjiri i Anglezit”. Ata e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen, pasi nuk ndiheshin mirë dhe nuk mund të vazhdonin më tej.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare për t’iu ardhur në ndihmë turistëve. Pas disa orë kërkimesh, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe gjetën 2 turistët e huaj, të cilët më pas u shoqëruan me mjetin e Policisë Kufitare, në Himarë, ku ata ndodhen aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar. Policia Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt”, sqaron policia. /ZOOM.AL/