zoom

Aktualitet

Policia njoftoi vjedhjen e veprave të artit, ministri Gonxhe e përgënjeshtron

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe ka përgënjeshtruar Policinë e Shtetit.

Policia e njoftoi dje se dy persona u arrestuan pasi u kapën në flagrancë me vepra arti të vjedhura, të cilat i trafikonin dhe ua shisnin të huajve për shuma të mëdha parash.

Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro. 

Por të gjitha konkluzionet e mësipërme janë hedhur poshtë nga ministri Gonxhe.

Ai sqaron qytetarët se personat e arrestuar nuk kanë vjedhur ikonat në inventarin e institucionit në vartësi të ministrisë, DRTK/Parqe dhe Muze dhe se asnjë nga personat e identifikuar nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI.

Gonxhja beson se ekspertimi i Policisë do të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske. 

SQARIM: Pas komunikimit zyrtar me institucionet e trashëgimisë kulturore, DRTK/Parqe dhe Muze, lidhur me ngjarjen e bërë publike në media nga Policia e Shtetit, sot më datë 30 Mars 2024, mbi operacionin e koduar “ikonat”, në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cënuar inventaret apo pasuritë në to!
Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI!
Për rrjedhojë, shpresoj në mirëkuptimin e publikut për faktin se në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk kam nxituar ende të përgëzoj, aq më tepër sepse duke bërë këtë mund të konfirmoja një lajm, që edhe pse nga Policia e Shtetit, duhet të verifikohet!

Duke uruar, ashtu siç shikohet nga pamjet, që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske,
fundjavë të bukur!