zoom

Aktualitet

Policia në kaos, bandat në pushtet. Për çfarë i duhet posti Ministrit të Brendshëm?

Në një kohë kur krimi i organizuar dhe bandat po konsolidojnë pozitat, sa duke shtuar asetet e duke i pastruar ato në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, aq edhe duke rritur ndikimin mbi politikën e duke injoruar shtetin e ligjin, Policia e Shtetit po e sheh veten në një spirale krize gjithnjë e më të thellë.

Situata është kritike, aq sa asnjë nga kriminelët më të rrezikshëm të dalë në përgjimet e SKY ECC nuk po kapet. Ka të dhëna se disa prej tyre lëvizin lirisht në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan e Vlorë me garanci për të mos u arrestuar.

Përgjegjësia bie mbi drejtuesit e Policisë, me Ministrin e Brendshëm në krye.

Kriminaliteti në vend po shënon rekorde të reja dhe qytetarët ndihen të pambrojtur kur shohin se rrezikohen nga plumbat që vërshojnë me breshëri në autostradën Fier – Vlorë ku mbrëmë u vra 30 – vjecari Kristjan Marku apo kur shohin se një biznesmen vritet në mes të Tiranës në prag të shtëpisë së tij dhe autorët largohen në drejtim të paditur.

Nga vrasjet e bujshme deri te pasiguria e përditshme në rrugë, është e qartë që policia nuk po arrin të përmbushë misionin e saj. Në vend që të ofrojë siguri, Policia e Shtetit po shfaqet përditë e më shumë si një strukturë e dobësuar dhe e pafuqishme.

Në një klimë të tillë, pyetja që lind është e thjeshtë: Ku është Ministri i Brendshëm? Si është e mundur që ai të vijojë të mbajë postin e tij, ndërkohë që situata i ka dalë jashtë kontrollit?

Jo vetëm që Policia është e paralizuar përballë krimit, por edhe marrëdhëniet mes drejtuesve kryesorë të institucioneve janë në pikën më të ulët. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, duket se nuk e përfill ministrin dhe kjo marrëdhënie në kolaps sjell mungesë koordinimi, jetike për Ministrinë e Brendshme dhe policinë.

Kur drejtuesi më i lartë i policisë nuk respekton autoritetin e Ministrit të Brendshëm, atëherë çfarë roli ka ky i fundit? Çfarë kuptimi ka që ai të qëndrojë në atë zyrë? A i ka kërkuar Ervin Hoxha llogari Ilir Prodës për situatën e kriminalitetit? Kjo mungesë sinergjie vetëm sa dekurajon strukturat e rendit dhe i jep krimit një terren edhe më të favorshëm për të lulëzuar.

Nëse nuk ka as autoritet mbi strukturat e policisë dhe kreun e saj dhe as vizion për ta rikthyer sigurinë, çfarë kuptimi ka që të rrijë kot në zyrë?

Ministri i Brendshëm ka në dorë të tregojë sot integritet që të largohet, për t’i dhënë mundësinë dikujt tjetër që të marrë përgjegjësinë për të futur Policinë e Shtetit në binarët e ligjit dhe për ta vënë atë përballë bandave.

Ai duhet t’ia thotë hapur Edi Ramës se sa kohë do të qëndrojë në zyrë e nuk do të guxojë as t’i bjerë telefonit te Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, jo vetëm do të shtojë koston personale, por do të dëmtojë edhe imazhin e Ministrit të Brendshëm në mënyrë të pakthyeshme. /Zoom.al

Postime të lidhura