zoom

Aktualitet

Policia në aksion/ Arrestohen 14 shoferë dhe mbi 1 mijë të gjobitur

Gjatë kontrolleve të bëra në rrugët e vendit në 24 orët e fundit, policia rrugore njofton se janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që abuzonin me shpejtësinë, me alkoolin apo me përdorimin e celularit në timon, me mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe më keq akoma me drejtimin e automjetit, pa leje drejtimi.

Brenda një ditë bëhet e ditur se janë arrestuar 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Po ashtu, janë pezulluar 42 leje drejtimi, nga të cilat 24 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 178 km/orë në autostradën Levan-Vlorë), 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1311 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Gjithashtu është evidentuar nga Policia e Kukësit dhe më pas është shoqëruar në Polici, një shofer nga Hasi që kishte publikuar në rrjetet sociale, foto me automjetin e tij të ndaluar në brendësi të tunelit të Kalimashit, duke rrezikuar përfshirjen në aksidente. Shoferi në fjalë është gjobitur me 8.000 lekë të rinj.