Aplikacion
Duke folur për mediat, banorët akuzojnë policinë se i ka nxjerrë zvarrë nga banesat, si dhe qeverinë e bashkinë, sepse sipas tyre, nuk po i dëmshpërblen siç duhet për shtëpitë e tyre.
Ata kanë protestuar prej ditësh për mbrojtjen e banesave të tyre, ndërsa ditën e djeshme tre përfaqësues zhvilluan dhe një takim me kryeministrin Edi Rama, në Parlament.
“Nuk kemi asnjë lloj kontrate. Dje nuk na thanë asgjë. Pasi dola na thanë se do ma japin shtëpinë me taksat e shqiptarëve. Unë nuk kam pse ta marr me taksat e shqiptarëve, sepse ma kanë ndërtuar fëmijët e mi. Nuk kam dalë për sevap, nuk kam dalë të më ndihmojë shteti. Unë ndihmoj veten, por të më lërë në terezinë time. Atë ditë që është shembur shtëpia ime, kanë ardhur mbi 1300 policë. Kemi kërkuar mbrojtje, të mos na tërheqin zvarrë. Nuk mund të vazhdojnë të gënjejnë popullin, i marrin veçmas banorët, që të firmosin. Marrin babanë tim e i thonë firmos se kanë firmosur dhe të tjerët. Nuk mund ta bëjnë kështu”, shprehet një banore.
Më tej, Nënë Liza flet për takimin e djeshëm me kryeministrin:
“Dje sa kam dalë nga takimi me Ramën, tha: Ti mos u merr me këtë punë, se do marrësh shtëpinë. Sa dola më morën në telefon nga bashkia dhe më thanë se na tha kryeministri. Policia është sjellë zi me mua, fëmijët m’i nxori zvarrë, edhe mua. Më nxorën zvarrë, mua një plakë 78 vjeçe, turpi i botës. Shkoj e rri aty te shtëpia, nën rrënoja.”
Dje, qarkulloi kudo një video nga takimi Rama – banorët e “5 Majit”, ku kryeministri fliste me një gjuhë të ashpër ndaj gruas së moshuar.