zoom

Politikë

Policia i gjakosi të shoqin, reagon ish-ministrja e Arsimit, Shahini: Albini po ushtron dhunë, shpresa te opozita e re

Dardan Molliqaj, kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, u arrestuar sot gjatë protestës kundër zyrtares së EULEX. Protesta u ndërmor në momentin kur zyrtarja e EULEX po jepte një konferencë, ndërsa aktivistët e PSD-së ia ndërprenë fjalën kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë.

Aktivistët e PSD-së me fishkëllima kanë ndërprerë për disa minuta këtë konferencë, ndërsa edhe jashtë saj kanë shkruar mbishkrime “non-grata” mbi veturat e EULEX-it.

Pas aksionit policia ka arrestuar kryetarin e kësaj partie Dardan Molliqajn dhe katër aktivistë të tjerë.

PSD kërkoi lirimin e aktivstë të saj, ndërsa një reagim ka ardhur edhe nga bashkëshortja e Molliqajt, ish-ministrja e Arsimit në qeverinë e Shqipërisë, Besa Shahini.

“Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahen dhe arrestuan dhunshëm. Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë”, shkruan Shahini.

Më tej ajo shprehet se Kosova ka nevojë për një opozitë të re dhe të zëshme dhe se kjo po vjen duke u rritur, duke nënkuptuar partinë që drejtohet nga bashkëshorti i saj.

Reagimi i plotë

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahen dhe arrestuan dhunshëm. Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kunder hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve. Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.

Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, per ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet me të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë te re dhe te zëshme po vjen duke u rritur.