zoom

In Zoom

Policia e Ilir Prodës braktis detyrën dhe lë në baltë qytetarët e saj. Ndërkombëtarët të reagojnë

Nga redaksia e Zoom.al

Situata e krijuar më 12 shkurt para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është një tjetër dëshmi e degradimit të Policisë së Shtetit nën drejtimin e drejtuesit aktual, Ilir Proda.

Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët ishin të rrethuar nga protestues që bllokuan hyrjen dhe daljen e tyre nga ambientet e gjykatës, Policia e Shtetit qëndroi në “mënyrë të papranueshme indiferente dhe e paralizuar, duke mos marrë asnjë masë për të garantuar rendin publik”, – siç thanë GJKKO dhe SPAK në dy reagime të veçanta.

Sipas një deklarate zyrtare të GJKKO-së, Garda e Republikës kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur ndihmën e Policisë për të vendosur perimetrin e sigurisë, por kjo e fundit refuzoi të ndërhynte, duke lënë të pambrojtur gjyqtarët, prokurorët dhe personelin administrativ. Kjo sjellje jo vetëm që përbën shpërdorim flagrant të detyrës, por edhe një sinjal alarmi për kapjen e strukturave të rendit nga interesa të errëta politike.

Po kjo polici, e drejtuar nga Ilir Proda dhe miqtë e tij që i ka vënë në të gjitha postet kyçe, zbarkonte me qindra efektivë kur 20-30 mbështetës të Sali Berishës shkonin të hënave kur ai paraqitej në SPAK.

Në një situatë normale, drejtori i Policisë së Shtetit duhet të ishte përballur menjëherë me pasoja disiplinore dhe hetimore për dështimin e tij të rëndë. Por në Shqipërinë e sotme, ai vazhdon të qëndrojë në detyrë, duke provuar se llogaridhënia është një koncept i zhdukur për këtë qeveri dhe se ai nuk rri në atë detyrë për shkak të meritës në respekt të ligjit, por të servilizmit politik dhe përdorimit të uniformës për t’u shërbyer politikisht dhe jo vetëm atyre që e kanë vënë në atë detyrë.

Qartësisht, nën drejtimin e Ilir Prodës, Policia e Shtetit është kthyer në një strukturë që nuk vepron mbi bazën e ligjit, por sipas urdhrave politikë.

Në rastin konkret, refuzimi për të ndërhyrë dhe për të bashkëpunuar me Gardën nuk është gjë tjetër përveçse një veprim i qëllimshëm, që u dha mundësi punëtorëve të bashkisë që dolën në tubim për kryetarin e tyre, Erion Veliaj, të intimidonin hapur sistemin e drejtësisë. “Ky është një precedent i rrezikshëm që minon themelet e shtetit ligjor” – thonë GJJKO e SPAK. Ai dërgon një mesazh të qartë se ligji nuk zbatohet për të gjithë njësoj.

Një institucion kaq i rëndësishëm si Policia e Shtetit nuk mund të drejtohet nga një individ që me gjasë nuk e di ende detyrën që ka, nuk e kupton përgjegjësinë dhe rolin e policisë së shtetit e as ia ka idenë se deri ku mund të bëjë kompromis me politikën. Ai nuk ka asnjë dallim me policinë e qeverisë së Sali Berishës që refuzonte të ekzekutonte urdhërat e arrestit të Prokurorisë.

Sa nuk e ka degraduar rolin e policisë në pikën e moskthimit, ai duhet të japë dorëheqjen pa vonesë.

Dorëheqja e tij nuk është thjesht një kërkesë morale, por një domosdoshmëri, sepse ai tregoi që policinë e shtetit mund ta përdorë si polici private, se nuk i përgjigjet asnjë institucioni që ka nevojë nese nuk i intereson atij dhe partisë politike që e mban në ate karrige, se po njësoj ai mund të mos i përgjigjet asnjë qytetari kur të jetë nevoja, sepse ai provoi se i ndan edhe qytetarët politikisht si institucionet.

Një polici që refuzon të mbrojë institucionet e drejtësisë dhe lejon intimidimin e gjyqtarëve e prokurorëve, nuk është më një forcë ligjore, por një strukturë e kapur nga interesa politike ose të errëta.

Kjo është pika më e ulët e degradimit të forcës së policisë. Asnjë drejtues më parë nuk ia kishte njollosur uniformën më parë kaq shumë Policisë së Shtetit dhe asnjë paraardhës i tij, as ata që mbronin kanabisin, nuk do kishin pranuar të linin institucionet në baltë.

Tani, besimi i qytetarëve dhe institucioneve për policinë nuk ka më nevojë të matet me barometrat suedezë që tund Edi Rama. Kur Ilir Proda nuk mbron me qëllim institucionet më të rëndësishme të drejtësisë, si mund të besojnë qytetarët e thjeshtë se policia e tij mund t’i mbrojë ata?

Nëse drejtori i Policisë nuk largohet vetë, atëherë ai duhet të shkarkohet urgjentisht dhe ndaj tij duhet të nisë një hetim për shpërdorim detyre.

Megjithëse kjo sentencë nuk bën sens në Shqipërinë e Edi Ramës, edhe sa do të durojnë shqiptarët që shohin shtetin e tyre të degradojë me vjedhje, skandale e tani edhe me cënimin e sigurisë nga policia?

Mosndëshkimi i kësaj papërgjegjshmërie do të inkurajojë edhe më tej përdorimin politik të policisë, duke e zhytur këtë strukturë në një krizë edhe më të thellë.

Në një shtet serioz, një veprim i tillë i policisë do të kishte pasoja të menjëhershme. Në Shqipërinë që ngjan me Kolumbinë, të shpresosh për ndëshkime nga Edi Rama apo ministri i tij i brendshëm Ervin Hoxha, është iluzion.

Shpresa e vetme edhe për këtë rast janë selitë diplomatike ndërkombëtare.

Të paktën ato duhet ta kuptojnë se çdo ditë që Ilir Proda qëndron në detyrë është një ditë më shumë që provon se policia ka humbur busullën dhe ka braktisur detyrën kushtetuese për të mbrojtur qytetarët e saj.

Postime të lidhura