zoom

Aktualitet

Po trafikonte gjysmë kg hashash dhe 100 fara kanabisi, “Prova” prangos 23-vjeçarin

Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për shitje të farave të cannabisit, me qëllim kultivimin e tyre, në kuadër të planit operacional kombëtar “Tempulli 2”.

Aksioni u krye në zonën e Vaut të Dejës mëngjesin e sotëm, pas informacioneve nga inteligjenca operative, teksa u kodua “Prova”.

U kap në flagrancë dhe vu në pranga një 23-vjeçar, që akuzohet se shiste fara kanabisi për t’i kultivuar dhe lëndë narkotike cannabis në doza.

Gjithashtu u sekuestruan edhe qindra doza cannabis dhe 100 fara cannabis, që u gjetën gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi.

“Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së cannabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prova”.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 570 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra doza të kësaj lënde dhe 100 fara cannabis sativa”, njoftoi policia vendore.

Kurse dosja i kaloi prokurorisë për hetime të mëtejshme. /ZOOM.AL/