zoom

Aktualitet

Po trafikonte bomba C4 te grupet kriminale, momentet e arrestimit të 24-vjeçarit (Fotot)

Një 24-vjeçar që udhëtonte me mina me telekomandë nga Fushë-Kruja në drejtim të Lezhës, është arrestuar nga policia vendore ditën e sotme.

Këto janë edhe foto nga momenti i operacionit të agjentëve, kapja e të dyshuarit, si dhe izolimi në Komisariat, bashkë me sekuestrimin e minave të montuara. I riu me iniciale A. S., u lokalizua në afërsi të Milotit dhe gjatë kontrollit iu gjetën të fshehura në trup 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë.

I dyshuari i montonte vetë minat dhe po udhëtonte drejt Lezhës për t’ia shitur grupeve kriminale. 24-vjeçari, banues në Fushë-Krujë, është arrestuar ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

Policia tha se u parandaluan ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin kundër Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, Forcat Operacionale dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas nga Fushë Kruja, po udhëtonte në drejtim të Lezhës dhe kishte me vete mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Horizonti”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të Milotit, shtetasin e dyshuar A. S.. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Teksa në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /ZOOM.AL/