zoom

Aktualitet

Po ikte drejt Greqisë me mbi 11 mijë euro cash, nën akuzë 53-vjeçari nga Patosi

Mbi 11 mijë euro cash janë sekuestruar sot pasdite në Pikën Kufitare të Kakavijës nga policia e Gjirokastrës, ndërsa poseduesit i tyre, me inicialet J. Ç., 53 vjeç, është vënë nën hetim.

Policia bën me dije se në bazë të analizës të riskut, në dalje të vendit, 53-vjeçari u kalua për kontroll në vijë të dytë dhe paratë e padeklaruara iu gjetën në çantë.

“Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur 1 rast i mosdeklarimit të të hollave.

Në bazë të analizës të riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi J. Ç., të cilit në çantë i janë gjetur 11 110 euro. Shuma e parave e padeklaruar nga ky shtetas u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 53-vjeçarin banues në Patos.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/