Aplikacion
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndodhet në qeli, në ambientet e një paraburgimi në Tiranë. Në muajin shtator të vitit 2020 ai është emëruar nga Edi Rama si Drejtues Politik në Qarkun e Shkodrës.
Pas marrjes së postit, Beqaj ditët e para të shtatorit vendosi të mbledhë në një takim zyrtar disa nga përfaqësuesit e PS-së në Shkodër, përfshirë këtu dhe Kryetarët e PS-së në qarkun e Shkodrës ,me qëllim bërjen e prezantimit të tij.
Ndërkohë, janë publikuar disa biseda ku mesa duket ky takim është diskutuar në aplikacionin e koduar “SKY ECC” nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka. Këta të fundit janë dy persona tashmë të arrestuar nga SPAK për dosjen “Metamorfoza”, me akuza të rënda si vrasje, “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “grup i strukturuar kriminal”, “korrupsion aktiv” dhe “organizim pa lejë i lojrave të fatit”.
“Ora News” raporton se dyshja e krimit në Shkodër, Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri, kanë mjaft biseda të shkëmbyera me njëri-tjetrin për Ilir Beqaj dhe funksionarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste, ku dukshëm dhe nga përmbajtja e komunikimeve rroli i tyre tek zyrtarët e Shkodrës dhe PS e këtij qarku, ishte vendimtar.
Beqaj drejtohej prej tyre, madje edhe strukturat e PS në këtë qark merrnin urdhra nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka, të cilët urdhrat dhe direktivat i përcillnin përmes deputetit të PS në Shkodër, Luan Harusha. Nga përmbajtja e bisedave të zhvilluara në 26 shtator 2020, kuptohet se “ditën e mërkurë, që përkonte datën 30 shtator 2020, Ilir Beqaj drejtuesi politik i sapoemëruar, kishte thirrur një takim të madh me strukturat e PS në këtë qark”.
Në dijeni të këtij takimi është dhe Pëllumb Gjoka, së bashku me Behar Bajrin. Në 26 shtator 2020 Pëllumb Gjoka i shkruan në “Sky” Behar Bajrit duke i thënë: “…O vëlla, fol me Luanin se ashtë t’u ba si interesant… i kam unë tan thotë, e nuk kam nevoj për kan. O vëlla, fol me Luanin se asht t’u ba interesantin. A ke fol gja me ta ti? Jo se ka problem, por po prish punë”.
Ndërsa Behar Bajri ja kthen përgjigjen: “…Kur ma…po ja q** rrobt atij…”. Por më tej Gjoka i shkruan sërish Beharit duke i thënë: “Thuaj të mos shkojnë… thuaj të mos shkojnë në takime pa i thanë ne. Ka lënë takim me Ilir Beqaj të mërkurën. Don me mbledh Kryetarët e Partive me i çu tek ai, por hajde e thërrasim njere ne dhe flasim me të. Thuaj të mos shkojnë në takime. Thirre njerë ti dhe thuaji kush të ka thanë me ba takime? Nesër po vij vetë, e flasim me ta…”.
Behari i përgjigjet shkurtimisht me “…ok ok…”. Por sërish Pëllumb Gjoka i shkruan Behar Bajrit se kur të takonte deputetin e PS në Shkodër Luan Harusha: “…T’i bërtiste fort se asht tu munu me na anashkalu…”, dhe Behari ia kthen sërish shkurtimisht “aaaa…”.
Këto biseda dhe shumë të tjera që ndodhen në aplikacionin “SKY” tregojnë protagonizmin, influencën që kanë pasur dy eksponentët e krimit në Shkodër mbi disa elementë dhe drejtues politik të PS në këtë qark. /ZOOM.AL/