zoom

Aktualitet

Po bënin alpinizëm, grupi i turistëve bie nga maja e Jezercës. Vdes kroatja, kërkime për të tjerët

Nuk u ndahet fati i keq turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe kryesisht në alpe ku bëjnë alpinizëm.

Një anëtare e grupit të turistëve kroatë (grua), që ka qenë duke eksploruar majën e Jezercës, në Tropojë, për shkak të terrenit të thepisur, ka rrëshqitur dhe ka humbur jetën. paraprakisht raportohet edhe për një të plagosur.

Policia bën me dije se nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do  transportohet me helikopter, drejt morgut. Ndërkohë, vijon operacioni i shpëtimit për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.

Njoftimi i plotë i policisë:

“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.

Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”. Turistja kroate, shtetasja 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën.

Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do  transportohet me helikopter, drejt morgut. Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar”. /ZOOM.AL/