zoom

Aktualitet

Plarent Ndreca del nga SPAK dhe mbrohet para gazetarëve: Nuk kemi bërë asnjë shkelje

Deputeti i PS, Plarent Ndreca u paraqit sërish në SPAK këtë të snjte, pas hetimit të nisur ndaj tij për abuzim me tenderat gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ndreca është marrë i pandehur dhe këtë të enjte u zhvillua seanca paraprake në ngarkim të tij, në ambientet e GJKKO.

Në përfundim të seancës, Ndreca mbrojti veten para gazetarëve.

“Nuk është gjendur asnjë shkelje në lidhje me garën. Nuk besoj se ka të përfshirë. As KLSH, asnjë institucion nuk ka parë asnjë shkelje në procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e komisariateve të policisë. Gjykata Administrative ka thënë se vlerësimi është i saktë dhe i drejtë. Kemi kërkuar pushimin e çështjes, kemi konstatuar shkelje procedurale nga Prokuroria. Procedura nuk ka harxhuar asnjë para nga buxheti i shtetit”, tha Plarent Ndreca.

SPAK e ka marrë deputetin socialist si person nën hetim pasi e shqyrtoi dosjen e tij për afro 3 vjet me radhë.

Shkeljet u gjetën nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që i referoi ato në SPAK. Kallëzimi penal u bë ndaj 5 personave, funksionarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët rezultojnë se kanë qenë përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”. Vepra penale është “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.”

Bëhet fjalë për tenderat e zhvilluar për ndërtimin e Komisariatit të policisë në Vlorë, të Komisariatit nr. 4 në Tiranë, atij të Pogradecit dhe Komisariatit të Mirditës.

KLSH gjeti mospërputhje dhe devijime ligjore në procesin e auditimit që zhvilloi për vitet 2018, 2019 dhe 2020. Sipas KLSH, shkeljet çuan në rritje të vlerës së ndërtimit, në mënyrë të paargumentuar.

Postime të lidhura