zoom

Lajme

Planifikuan sulme, dy të arrestuar në Vjenë mes kërcënimeve për koncertin e Taylor Swift

Policia në Austri ka intensifikuar masat e sigurisë për tre koncertet e Taylor Swift që do zhvillohen në Vjenë të enjten, të premten dhe të shtunën e kësaj jave.

Masa vjen pas arrestimit të mërkurën e dy personave të dyshuar për planifikimin e sulmeve islamike në evente të mëdha në zonën përreth Vjenës, duke përfshirë koncertet e superyllit amerikan.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Franz Ruf, tha se një 19-vjeçar austriak u arrestua mëngjesin e së mërkurës në Ternitz në provincën e Austrisë së Ulët.

Ai tha se arrestimi i dytë ndodhi në Vjenë pasdite, por nuk dha detaje të mëtejshme për të dyshuarin.

“Sipas statusit aktual të hetimit, dy të dyshuarit u radikalizuan përmes internetit”, tha zoti Ruf. Ai tha se 19-vjeçari bëri “betim për besnikëri” ndaj Shtetit Islamik në fillim të korrikut.

Një operacion i madh policor ka ndodhur në Ternitz, ku jetonte 19-vjeçari. Një numër shtëpish aty pranë u evakuuan ndërsa shtëpia e tij u kontrollua.

Ruf tha se substanca kimike ishin gjetur dhe ishin duke u ekzaminuar.

Ai tha se policia po merrte të gjitha masat për të siguruar që të gjitha eventet në Vjenës të mund të zhvillohen në mënyrë të sigurtë, duke përfshirë tre koncertet e Taylor Swift.

Ai shtoi se do të ketë një fokus të veçantë në kontrollet e hyrjes në koncertet e saj, të cilat po zhvillohen në stadiumin Ernst-Happel.
Kreu i policisë në Vjenë, Gerhard Pürstl, tha se rreziku konkret ishte “minimizuar”.