zoom

Aktualitet

Plani për vrasjen e kapos së drogës, SPAK jep pretencën për “Kep Rapin” dhe ish-shefin e Krimeve

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për 4 personat që akuzohet se planifikuan vrasjen e kapos së drogës, Xhevdet Kiss (Plaku).

SPAK ka kërkuar për Rexhep Rapin i njohur dhe si Kep Arapi, dënimin me 7.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet në 5 vite heqje lirie.

Për nipin e tij, Algert Rapin u kërkua dënimi me 7.4 vite burg, por dënimi i ulet në 4.8 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërsa për ish-shefin e Krimeve, Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermenin u kërkua denimi me 4.8 vite burg me gjykim tëshkurtuar.

Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë.

Pse dështoi atentati i Kep Arapit ndaj “Akilit”

Rexhep Arapi, i njohur si Kep Arapi, dyshohet se tentoi eleminimin e kundërshtarit të tij Xhevdet Plaku, i njohur si “Akili”, për motive hakmarrjeje dhe larjes të hesapeve për aktivitetet e paligjshme të narkotikëve brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, në momentin kur oficeri i policisë Dedan Gjoni informoi se do ta nxirrte Plakun nga dera e pasme e Komisariatit të Durrësit, Kep Arapi organizoi grupin e armatosur me qëllim që ta ekzekutonte atë.

“Mbas sinjalizimit që shtetasi Dejvi Gjermëni, i ka dhënë personit të quajtur Geri (identifikuar si Algert Rapi), Rexhep Rapi (Kep Arapi) është organizuar me njerzit e tij për të kryer vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku”, (foto lart), thuhet në dosje.

Por, vrasja nuk u realizua, pasi Gjermëni i kërkoi Algert Rapit, nipit të Kep Arapit, që ky i fundit dhe njerëzit e tij të tërhiqeshin, nga frika se mos zbuloheshin, pasi Dedan Gjoni (foto poshtë), ia kishte përcjellë të dhënat në aplikacionin whatsup dhe jo në telefon të enkriptuar.

Në një bisedë të të përgjuar, Gjermëni dëgjohet ti thotë Algert Rapit: “Çfarë bën ai kështu o burrë, ne nuk e lamë kështu”.

Thuaj atyre (me kallashnikov) të ikin se ai (Plaku) nuk është më aty në rajon, e kanë liruar”, dëgjohet t’i thotë Gjermëni – nipit të Kep Arapit.

Bisedat u përgjuan nga autoritetet holandeze, të cilat po hetonin Dejvi Gjermënin për përfshirje në një organizatë kriminale që kultivonte drogë.

Në këtë kuadër Gjermëni u vëzhgua në çdo lëvizje dhe u përgjua teksa bisedonte me persona të ndryshëm në ambjentet e biznesit të tij.

“Në periudhën nga fillimi i muajit mars 2020 deri në fund të muajit shtatorit 2020, në ambientet e firmës “Alba Cars” sh.p.k, nga shtetasi Dejvi Gjermëni është folur disa here dhe me persona të ndryshëm për një vrasje për të cilën janë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për ta realizuar në verën e vitit 2019 në Shqipëri”, theksohet në dosje.

Planet ai ia rrëfen Toni Dervishit, i cili u ekzekutua në Durrës, disa muaj më parë, ndërsa i tregon detaje se ishte Dedan Gjoni që e nxori në pritë Xhevdet Plakun. Madje, ai flet edhe për takime mes zyrtarit të policisë dhe të fortit të Sukthit, Kep Arapi në lokalin e këtij të fundit te Gjiri i Lalzit.

Vrasja e Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar na komisariat nga oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar.

SPAK thotë se Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermëni, i njohur edhe me emrat Elton dhe Sako Gjermëni, si dhe oficeri i policisë Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrje.

Kep Arapi e akuzonte Xhevdet Plakun si autor të vrasjes së vëllait të tij, Sali Rapi në vitin 2000, në Savona të Italisë. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura