zoom

Ekonomi

Plakja dhe emigracioni, rrezik i lartë për perspektivën ekonomike të vendit

Tranzicioni demografik i Shqipërisë, me nivel të lartë emigracioni në moshat e reja dhe me plakje të shpejtë të popullsisë, është një faktor me rrezik të lartë për qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë, vlerëson BERZH në draft-strategjinë e bashkëpunimit 2025-2030.

Nga katër rreziqe që cenojnë sigurinë ekonomike të vendit tonë të tilla si: kapacitetet e pamjaftueshme institucionale, zhvillimet demografike, ndikimi i klimës dhe zhvillimet e jashtme, dy u nga këto, “Faktori demografik” dhe “Pasiguria në tregjet e huaja” u vlerësuan rreziqe me ndikim shumë të lartë.

Rezultatet e fundit të Censit 2023 treguan se popullsia e vendit u tkurr me rreth 14.8% ndërmjet 2011 dhe 2023, teksa mosha mesatare gjatë kësaj periudhe u rrit me 7.5 vite.

Ndryshe nga vendet e tjera të Europës tranzicioni demografik në Shqipëri po zhvillohet për më shumë se tre dekada ku largimet nga vendi janë me shumë se ardhjet. Emigrimi i moshave të reja ka krijuar një hendek në forcën punëtore të vendit dhe po bëhet pengesë për zhvillimin e disa sektorëve të tilla si bujqësia dhe turizmi.

Megjithëse ekonomia e vendit pas Pandemisë Covid-19 është rritur më shumë se mesatarja e dekadës se kaluar sërish një pjesë e madhe e popullsisë edhe me të ardhura mbi mesataren dëshirojnë të largohen.

Një sondazh i “Monitor” me 1044 persona (857 jetojnë në vend dhe 187 jashtë) i cili u zhvillua gjatë shtatorit 2024 përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim) me kampionim rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore evidentoi një trend të ri të emigrimit të personave të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

Mbi 94% e pjesëmarrësve ishin me arsim të lartë dhe gati gjysma ishin me gradë PHD. Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri, 40% kishin bërë gati planet dhe infrastrukturën për t’u larguar gjatë dy viteve në vijim. 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grup-moshës 40-49 vjeç,

Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Ja të gjitha arsyet që po largojnë shtresën e mesme.

Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe së fundmi BERZH e vlerësoi faktorin demografik me rrezik të lartë për perspektiven ekonomike të vendit./ Monitor