Aplikacion
Ngjarja ndodhi në datën 2 prill, në aksin Shkodër-Velipojë, rreth orës 21:45, në vendin e quajtur “Ura e Gjo Lulit”, në zonën e Mali Kolaj.
I plagosur ka mbetur shtetasi Emiljano Paloka, 27 vjeç, banues në fshatin Pulaj në Velipojës.
Sipas burimeve 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit.
Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e shtetasit Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij në një shkrepje të pavetëdijshme të armës në lojë e sipër brenda automjetit.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së ndodhur mbrëmjen e datës 02.04.2024, në fshatin Malikolaj, Velipojë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, është identifikuar autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi K. L., 25 vjeç, banues në fshatin Baks i Ri, Velipojë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi K. L., kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi”, tha policia.
I plagosuri Palokaj vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti. Kurse materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/