zoom

Aktualitet

Pjesë e një grupi që trafikonte kokainë, kapet në Kamëz i shumëkërkuari i Italisë

Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane është arrestuar në Kamëz. Sipas Policisë së Shtetit bëhet fjalë për shtetasin me iniciale P.S., i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Perugias, Itali, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Në vitin 2022, ky shtetas në bashkëpunim  me disa shtetas të tjerë  krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

Njoftimi i policisë:

Operacioni nga  Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme policore, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

I kërkuar në Itali, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi, 41-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,  finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 3”.

Gjatë operacionit, në Kamëz, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar P. S, 41 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë./ Zoom.al