zoom

Bota

Pesë vjet nga rasti i parë i vdekjes me korona, por a është e përgatitur bota për pandemitë e reja

Pesë vjet më parë, një virus i panjohur deri atëherë e zhyti njerëzimin në një krizë të paprecedentë: më 11 janar 2020 u regjistrua vdekja e parë në botë nga koronavirusi SARS-CoV-2 në Kinë. Pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së koronës, ekspertët pyesin veten se sa mirë është përgatitur bota për pandemitë e ardhshme.
Vlerësimi i OBSH-së

I pyetur nëse bota tani është më e përgatitur për pandemitë, kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një konferencë shtypi në dhjetor: “Përgjigja është po dhe jo”. Bota ende duhet të përballet me “disa dobësi dhe tendenca dobësie”. Nga ana tjetër, komuniteti botëror ka nxjerrë shumë “mësime të dhimbshme” dhe “ka marrë masa të rëndësishme për të forcuar mbrojtjen e tij kundër epidemive dhe pandemive të ardhshme”, ka theksuar kreu i OBSH.

Sipas Maria Van Kerkhove, drejtuese e Departamentit të Përballimit të Epidemisë dhe Pandemisë së OBSH-së, është vetëm çështje kohe para se bota të kërcënohet pandemia e ardhshme. Si rezultat i përvojave nga pandemia e Coronës dhe epidemia e rëndë e gripit në vitin 2009, “shumë gjëra janë përmirësuar”, por bota mbetet e përgatitur në mënyrë të pamjaftueshme për një “shpërthim masiv” të një sëmundjeje infektive ose një pandemie të re, është e mendimit Van Kerkhove.

Edhe Paneli i Pavarur për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemive, i mbledhur nga OBSH, vjen në një përfundim shumë të ngjashëm: Ndër të tjera, ai kritikon faktin se ka ende pabarazi në mbarë botën në aksesin ndaj vaksinave dhe ilaçeve.

Epidemiologia amerikane Meg Scheffer është gjithashtu skeptike: “Të jem e sinqertë, jo, nuk mendoj se jemi më të përgatitur sesa ishim me Covid-in”. Autoritetet shëndetësore në mbarë botën ende nuk janë në gjendje të mbledhin dhe shkëmbejnë me shpejtësi informacione rreth patogjenëve të rinj./DW

Postime të lidhura