zoom

Aktualitet

Përplasja me armë në Itali, mes dy bandave shqiptare – Arrestohet 23-vjeçari. Si ndodhi ngjarja

Përplasja me armë në Frosinone të Italisë, që la pas dy shqiptarë të vdekur, ka ndodhur mes dy bandave shqiptare.

Fillimisht, nga mediat u raportua se konflikti ishte mes shqiptarëve dhe një bande marokenësh, që kishin hapur zjarr ndaj grupit të shqiptarëve teksa këta të fundit ndodheshin në lokal.

Por pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe arrestimit të një 23-vjeçari shqiptar, i dyshuar si autor, ngjarja mori tjetër rrjedhë.

Tre autorë të tjerë, po ashtu shqiptarë, janë identifikuar nga autoritetet italiane dhe po punohet për kapjen e tyre.

Dinamika e ngjarjes

Katër shqiptarë ishin ulur në një lokal në momentin që një makinë tip “Lancia Ypsilon”, që po ecte me shpejtësi, parkoi para lokalit.

Shqiptarët, që ndodheshin brenda në makinë, u futën në lokal dhe dy prej tyre nisën një debat me tone të larta me shqiptarë e tjerë që ishin të ulur.

Më pas, një prej shqiptarëve, që mbërriti me makinë, nxori pistoletën dhe qëlloi 4 ose 5 herë. Një prej plumbave kapi në qafë 27-vjeçarin shqiptar, i cili ndërroi jetë në vend.

Tre shqiptarët e tjerë u plagosën në bark dhe në këmbë dhe një prej tyre ndërroi jetë në spital.

Pas të shtënave, anëtarët e bandës rivale u larguan në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Makina me të cilën ata mbërritën në lokal u sekuestrua nga grupi hetimor.

Pista e hetimit

Policia italiane po heton pistën e larjes së hesapeve mes dy grupeve shqiptare, trafikun e drogës dhe prostitucionit.

Ndërkohë, mediat shkruajnë se ajo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës është një alarm shoqëror që ka bërë prefektin e Frosinone-s, Ernesto Liguori, të mbledhë një komitet për rendin publik dhe sigurinë, takim që pritet të mbahet sot