Aplikacion
“Bëju burrë dhe hajde 5 minuta këtu të tregoj sa të vlen lëkura. Ose të bëhet burrë e të përballet me Luçiano Boçin në studio”, u shpreh Berisha nga Tv Klan.
“Ata nuk meritojnë asnjë përgjigje nga unë, ata nuk i meritojnë më përgjigjet e mia. Unë jam shumë i keqardhur që duke qenë shumë i disponueshëm për të qenë i përfshirë për të dhënë përgjigje për të bërë debat, por për fat të keq kam rënë jo njëherë po shpesh herë në nivelin e tyre dhe me këtë rast jam bërë dhe unë kontributor për neveritjen dhe helmimin e njerëzve për debatin politik. Nga unë kanë marrë gjithçka që mund të merrnin dhe nuk kam më asnjë për ata”, tha kreu i qeverisë nga zyra e kryeministrisë në një intervistë për Top Channel.
Kjo mund të konsiderohet një përplasje ‘live’ mes tyre duke qenë se në Kuvend nuk ishte asnjëri. Rama zgjodhi të mos merrte pjesë ndërsa Berisha është përjashtuar për 10 ditë për shkak të kaosit që shkaktoi në seancën e shkuar.
Dosja e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal është kthyer në ‘mollë sherri’ mes opozitës dhe maxhorancës. Demokratët duket se janë bashkuar pasi me të njëjtat argumente kërkojnë shpjegim nga kryeministri Edi Rama për takimin me ish-zyrtarin e FBI-së, në praninë e Agron Nezës, person i cili akuzohet se i ka dhënë McGonigal 225 mijë euro dhe nuk i ka deklaruar.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.