zoom

Aktualitet

Përplasja e ish-drejtoreshës së ARSH-së me kompaninë “Gjoka” për rrugën Kardhiq-Delvinë

Më 19 shtator të 2019 Sonila Qato u detyrua të jap dorëheqjen nga posti i Drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shkak u bë skandali me tenderin për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Në atë kohë drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato anuloi tenderin në fjalë me argumentin se kompania  “Gjoka Construction” kishte paraqitur dokumenta të falsifikuar për të fituar tenderin për ndërtimin e këtij loti.

Në tenderin për lotin  7 të rrugës Kardhiq-Delvinë garuan 6 kompani.

Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të një bashkimi të katër shoqërive mes të cilave italianja “Ircop” dhe shqiptarja “Sulova”.

Por vendimi i ARRSH u ankimua nga kompania Gjoka, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në tender, saktësisht 4.3 milionë euro më pak se oferta që ARRSH shpalli fituese.

Komisioni e gjeti të paligjshëm vendimin e ARRSH duke e urdhëruar atë të ndryshojë fituesin.

Por Sonila Qato refuzoi ta zbatonte vendimin duke akuzuar kompaninë Gjoka se kishte falsifikuar dokumentat në tendera. Më pas Ministria e Infrastrukturës vendosi që ta mbyllë çështjen duke urdhëruar ARRSH që të anulojë gjithë procedurën sepse fondi do të përdoret në një tjetër projekt më prioritar.

“Gjoka Construction” nuk e la çështjen me kaq, por vendosi ta çojë atë në prokurori, e cila edhe dy vite pas këtij kallëzimi vijon hetimet.

Në një deklaratë për mediat në atë kohë kompania ” Gjoka Construction”, mohoi që të ketë paraqitur të dhëna false për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas tyre, hetimet e bëra në atë kohë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kishin si qëllim favorizimin e kompanisë e “Ircop”.