zoom

Lajme

Përgjimet e Veliajt në burg/ Kush është REDAKTORI?

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u la në masën e sigurisë burg pa afat një ditë më parë pas një vendimi të Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarit Engert Pëllumbi.

Veliaj, pas shoqërimit të tij në masën e parë të sigurisë dhënë nga gjyqtari Erjon Bani, nga qelia e burgut të Durrësit filloi sulmet, sharjet, kërcënimet, shantazhet, fyerjet, gjuhë rrugaçërore, ndaj personave të drejtësisë, kryesisht ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit të Shkallës së Parë në GJKKO, Erjon Banit.

Po SPAK-u mesa duket është treguar më i mençur se Erion Veliaj dhe ka siguruar përgjimet ambientale, telefonat dhe gjithçka tjetër të shkruar nga burgu, për shkak se është konstatuar se po kryhej një vepër penale.

Janë rreth 90 faqe audiopërgjime të bëra nga komunikime të Erion Veliajt me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe vëllain e tij Arbër Veliaj për çështje të rëndësishme.

Por mesa duket kryesisht ato kanë të bëjnë me mënyrën si Erion Veliaj kërkonte të manipulonte opinionin publik, të dirigjonte procesin me sulme ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, për të treguar në fund se kushdo që të do të jepte një dënim ndaj tij do t’i bëhej një biografi.

“Mendje të sëmura” që shkuan deri në aleanca greke kundër kryebashkiakut të Tiranës, histori me familjarë të gjyqtarit Erjon Bani që nuk i lanë gjë pa rrëmuar, kërcënime thuajse të drejtpërdrejta ndaj prokurorit Ols Dado, nga makina te shtëpia ku rrinte dhe gjithçka tjetër.

TENTAKULAT DERI NË KLP DHE ILD, SULMET NGA MEDIAT NË SHËRBIM TË VELIAJT

Lëvizje tentakulash për të goditur prokurorët që të tërhiqeshin nga kjo çështje deri në ILD dhe KLP, lëvizje me sharje dhe fyerje në rrjetet sociale dhe përdorimi i medias në mënyrë banale.

Pra, një i burgosur që merr në telefon dhe dirigjon median në Shqipëri, mediat kryesore në vend, mediat kombëtare, por që i bashkon dhe diçka.

Të gjitha i bashkojnë paratë e marra nga inceneratori që nuk ekziston në Tiranë, pagatorja tjetër ishte kompania e vëllait të tij, e cila ka në menaxhim dhjetëra subjekte që reklamojnë midis tyre dhe ato që përfitojnë koncesione apo leje nga qeveria dhe bashkia dhe fondet shpërndahen si reklama e këto para i jepen medias dhe pikërisht në këto media që marrin komandat e Erion Veliajt nga burgu, pasi ishin paguar dhe tani duhet të thoshin çfarë kërkonte kryebashkiaku.

Por që në fakt gjithçka e raportuar në to ka qenë një vepër penale, sepse është ndryshe kur media vetë hulumton, kërkon, zbardh materiale, detaje, investigon për prokurorë dhe gjyqtarë, por kur për vite me radhë s’ka gjetur gjë për ta dhe më pas për një moment vërsulet me 1001 skenarë tregon se kemi të bëjmë ndoshta dhe me një grup të strukturuar kriminal që fillon tek Erion Veliaj, shkon te bizneset e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe te media.

Pra lidhja politikë-media-krim.

DETAJI, KUSH ËSHTË REDAKTORI?

Gjithsesi, CNA sot po sjell një detaj nga përgjimet. Po sjellim një detaj nga audiopërgjimet e bëra ndaj Erion Veliajt në burgun e Durrësit.

Mes shumë emrash që përmend Erion Veliaj në dosjen prej gati 90 faqesh ka dhe një detaj.

Shumë herë ai përmend një term, “REDAKTORI”.

Pra, materialet që do të shkruhen, përgjigjet që do të jepen, qëndrimet që do të mbahen duhet kalojnë më parë nga REDAKTORI dhe kjo ndodhet në dosje.

Shumicën e njerëzve, politikanëve, bashkëpunëtorëve, ministrave, ata që shanin, ata që kërkonte të takohej etj., i përmend me emra.

Por është një personazh që nuk ka emër. Erion Veliaj, sipas dosjes, thekson të kalojë nga REDAKTORI.

REDAKTORI nuk duket të jetë letrar, duket se është dirigjencë politike për qëndrimet që do të mbahen nga publikimet e tij.

Roli i REDAKTORIT është i rëndësishëm në historitë e sulmeve të Veliajt.

Por kush është ky personazh dhe cili është roli i tij në sulmin kriminal të disa javëve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet ta zbardhë SPAK-u, por në audiopërgjime REDAKTORI është njeri shumë i rëndësishëm i Erion Veliajt dhe gjithçka kalon në duart e tij./ CNA

Postime të lidhura