zoom

Aktualitet

Përfitim nga tenderat dhe honoraret me nxënës fiktivë, nën akuzë kujdestarja e konviktit

Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka referuar materialet në Prokurori, ndaj kujdestares së një konvikti nxënësish në Malësi të Madhe.

Pas denoncimit të bërë nga një emision investigativ, për konviktin e nxënësve në Tamarë, policia sqaroi se kujdestarja me inicialet L. T., 50 vjeçe, dyshohet se ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës gjatë vitit shkollor 2023-2024, me qëllim përfitimin e shumave ditore dhe tenderave të paguara nga Bashkia Malësi e Madhe.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, që më datën 18.03.2024, kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka rregjistruar procedimin penal për veprën penale “shpërdorim detyre” për shtetasen L. T., 50 vjeçe, banuese në fshatin Tamarë, Malësi e Madhe.

Kjo shtetase duke qenë përgjegjëse e konviktit të shkollës së mesme të bashkuar, në Tamarë, dyshohet se ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës gjatë vitit shkollor 2023 – 2024, me qëllim përfitimin e shumave ditore dhe tenderave të paguara nga Bashkia Malësi e Madhe”, sqaroi policia vendore.

Dosja për rastin i kaloi organit të akuzës në Shkodër, për hetime të mëtejshme. /ZOOM.AL/