zoom

Aktualitet

Përdhunoi dhe braktisi të vdekur te dera e spitalit Marigonën, Apeli lë në fuqi burgun përjetë

Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, në rigjykimin për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Dënimi është i njëjtë si në aktgjykimin e parë të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Edhe në rigjykim Krivaqa është liruar nga akuza për dhunim, e Sejdiu nga akuza për ndihmë në dhunim. Kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi, të hënën, ka thënë se mizoria në përputhje me vendimin e Apelit tash është vërtetuar shkaku që eksperti mjekoligjor ka konstatuar se me dhunën Krivaqa i shkaktoi Marigona Osmanit dhimbje të mëdha dhe jashtëzakonisht të mëdha.

Më 4 gusht 2023, Themelorja në Ferizaj e pati dënuar Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë dhe Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Aktgjykimin e pati prishur Gjykata e Apelit më 22 shkurt 2024, pas ankesave të të gjitha palëve duke e kthyer rastin në rigjykim në shkallë të parë.

Krivaqa u pat liruar nga akuza për veprën penale dhunim dhe Sejdiu nga akuza për ndihmë në kryerje të dhunimit. Ndër shkeljet që i pati konstatuar Apeli, ishin fakti se motivi “xhelozia” është nxjerrë prej deklaratës së vetë të të pandehurit në Psikiatri Forenzike dhe se mizoria që përnendej në aktgjykim nuk është gjë që është vërtetuar prej deklaratave të ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmanit më 21 gusht 2021 e pati tronditur opinionin publik. Në seancën e dytë të rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut më 11 qershor, eksperti mjekoligjor pati shpjeguar se vdekja e Osmanit, pati ndodhur si pasojë e lëndimeve të rënda dhe të shumëfishta trupore. Raportin e ekspertit e pati kundërshtuar pala mbrojtëse e Krivaqës, duke kërkuar që të përsëriten disa ekzaminime./Koha/