zoom

Politikë

Përçarja në PD/ Grupi i Bashës zgjedh sot kryetarin e ri

Partia Demokratike zyrtare, ose me saktë fraksioni i Lulzim Bashës, do të zhvillojë këtë të shtunë zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë.

Në garë janë Lulzim Basha, i cili u rikthye në politikën aktive pas zgjedhjeve të 14 majit dhe kërkon të rivendoset në krye të partisë, si edhe Gjergj Hani, ish-i përndjekur politik.

Që prej orës 08:00 demokratët kanë të drejtë të zgjedhin mes tyre, deri në orën 19:00, kur mbyllet procesi.

Në votime nuk marrin dot pjesë anëtarët demokratë që mbështesin grupin e Rithemelimit dhe Sali Berishën.

Por ndërkohë, ky proces zgjedhor nuk mbështetet as nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe 15 deputetë të tjerë.

Bardhi dy ditë më parë mblodhi online Këshillin Kombëtar të PD-së duke vendosur anulimin e zgjedhjeve që po mbahen sot.

Por ky vendim nuk e tërhoqi Lulzim Bashën, i cili deklaroi se pas zgjedhjeve, do të ketë ndryshim.

Grupi i demokratëve që mban vulën e PD-së ka hartuar një listë të re të anëtarëve të partisë ku janë përfshirë 25 mijë demokratë, krahasuar me 75 mijë anëtarë që ka pasur kjo parti në qershorin e vitit 2021 kur Lulzim Basha mori mandatin e tretë në krye të partisë.