Aplikacion
Komentet Berisha i bëri gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku iu bëri thirrje deputetëve ta hedhin poshtë votimin e emrit të tij në Parlament.
Ai shtoi se duhet t’i dërgojnë nga një letër të gjithë institucioneve të SHBA-së për të paraqitur përpara tyre atë që ai e quan si poshtërim të shqiptarëve, me kandidaturën e Dvoranit për Gjykatën Kushtetuese.
Berisha akuza ka hedhur edhe ndaj Pamela Qirkos, motrës së ministres Belinda Balluku, për të cilën tha se ajo për të arritur kriteret në drejtësi ka falsifikuar notat.
Sot në rëndin e ditës është votimi për Gjykatën Kushtetuese, i simbolit më të nxirë të korrupsionit në drejtësinë shqiptare dhe ky quhet Ardian Dvorani. Ai është zyrtarisht i akuzuar nga DSIK se ka fshehur pasurinë. Në vetingun e Dvoranit është dëshmuar 100 % sesa fals është ky proces. Ai është gjykatësi që ka marrë në vitin 2002 apartament banimi nga Albtelecom, pa asnjë kontratë.
Në dokumente, jo në emër të tij, apartamenti figuron 93 metra. Sipërfaqja e apartamentit të tij është 120 metra katror. E kuptoni mafien e poshtër. Dvorani merr pjesë në 9 procese gjyqësore, në 3 apo 4 prej tyre si relator, në gjyqet midis Albtelecomit dhe institucioneve shqiptare, në shpërblim të pagesave që i kanë bërë për apartamentin.
Ka një rast tjetër, që një prokuror, një apartament e blen me dokumente të rregullta dhe ua kalon prindërve. Ai ndëshkohet padrejtësisht nga vetingu. Vilën 250 mijë euro të Valbonës nuk e fshehin dot ata. Vila e saj qëndron mbi drogën. Për të kapur kriteret, motra e Belindës, falsifikon notat dhe ajo bën vetingun e gjykatësve. Prisni kur të ftohet edhe ajo për ndonjë çmim ndërkombëtar si Dvorani.
Mos harroni se gjykatësit Muçi, që propozoi Meta, i gjetën vetëm 16 mijë euro të padeklaruara. Një tjetri për një biletë në Milano, ai tha ishte biletë pune, këta thoshin se nuk ishte pune. Por cili ishte Dvorani, kryetari i KED-së. Ai krijoi një krizë të madhe brenda vendit. Të gjitha këtë janë të përshkruara. Në një akt të paimagjinueshëm, Dvorani shpallet kampion botëror në luftën kundër korrupsionin.
Ne si deputetë duhet të reagojmë. Ne duhet të informojmë të gjitha institucionet e SHBA-së për këtë akt. Duhet t’i bëjmë letër të gjithëve, përfshi edhe presidentin Biden, sepse nuk mund të fyhen shqiptarët në këtë mënyrë. Çfarë është Dvorani, një xhelat. Ka kërkuar dënime deri në 15 vite për ata që rrëzuan diktaturën komuniste. Edhe këtë duhet t’ja raportojmë. Duhet të njoftojmë të gjithë institucionet amerikane. Në mënyrën më antikushtetuese ky qëndroi 4-6 vite pasi i skadoi mandati.
U emërua aty në kundërshti me ligjin e lustracionit. Ftoj çdo qytetar shqiptar t’i bëjë pyetjen vetes, çfarë jemi ne? Që një njeri i korruptuar na paraqitet si kampion kundër korrupsionit. Unë ftoj çdo deputet që të mos bëjë gabimin e tmerrshëm të votojë këtë person, për Gjykatën Kushtetuese. Ky e ka vendin në burg dhe askund tjetër. Të faktuara kto të gjitha nga Komisioni i Venecias. Pas tij është ajo tjetra, e majtë është edhe ajo, Selimi, por është civiliste e njohur. Atë e kanë lënë në bankinë. Në front për të përçmuar shqiptarët kanë sjellë Dvoranin. Të qartësojmë shqiptarët se çfarë po ndodh me këtë punë”, u shpreh Berisha.