zoom

Blog

Për parkimin kundërvajtje të Alketës dhe sindromën “VIP shqiptar”

Një video e hedhur në arenën e rrjeteve sociale, shfaqi Alketa Vejsiun tërësisht kundërvajtje, në një prej rrugëve të Tiranës.

Doemos, njerëzía komentoi gjerë e gjatë, duke e cilësuar shkeljen në fjalë, si abuzim me famën. Nuk vonoi shumë dhe moderatorja foli. Një reagim pa kurrfarë përgjegjësie, pa menduar se nga ana tjetër, mijëra shoferë kishin shqyer veshët e dëgjonin ç’thoshte Alketa.

“Kisha dalë nga vendi i parkingut dhe po prisja që të lirohej një vend aty,”- tha Vejsiu, duke shtuar se nuk ishte në lëvizje, kështu që as në kundërvajtje.

Kushdo që ka një makinë dhe di ta ngasë, s’do fort të kuptojë se moderatorja është në shkelje të rregullave të qarkullimit. Kundërvajtja si koncept (përfshirë atë rrugore) nënkupton moszbatimin e dënueshëm të një rregulloreje.

E meqë Benzi i 38-vjeçares nuk mbiu nga hiçi në atë cep të rrugës, duhet thënë se së pari, Vejsiut i është dashur të lëvizë kundërvajtje (qoftë edhe për dy a tri sekonda) e po kështu po kundërvajtje, ka parkuar dhe fikur mjetin, duke bllokuar sensin e kundërt.

Një ndodhi kjo hiçgjë, për një kryeqytet si ky i yni, ku dy goma i hipim mbi trotuar dhe bllokazhin e ndezim sa herë të na vijë për mbarë. E pazakontë ama, për nga rëndësia që mund të merrte, nëse Alketa, e zhveshur nga mania VIP për perfeksion do të pranonte se e kishte shkelur me të dyja këmbët, se ndihej keq dhe se (mos e dhëntë Zoti) kërkonte falje.

Kështu, bashkë me Alketën do rikujtonim se sa e gabuar është të injorosh rregulla jetike si ato të qarkullimit, që kushedi në sa e kanë shpënë numrin e viktimave vetëm për këtë vit.

Por jo, Alketa duhej të nxitonte të pastronte imazhin, ndaj me celularin në dorë dhe me qëndrimin prej çupëline rebele, tha se nuk kishte kurrfarë faji.

Po të donte, më shumë sesa dinte, kish’ bërë ndryshimin në rang VIP-ash, që zor se pranojnë gafat, lajthitjet, gabimet, pyetjet me spec në televizione apo skandalet.

Ja që jo, madje do falenderuar që e la me aq. Jo për gjë, po siç vetë Alketa tha, ka të tjerë që bëjnë gjëra më të mëdha se ajo.

Nga Denisa Skodi