Aplikacion
Ditën e sotme, gazetari i A2 CNN, Klevin Muka do të zinte ngushtë ministren Olta Xhaçka, por ai që do të revoltohej më shumë nga të gjithë ishte vetë kryeministri.
Pyetja e Mukës konsistonte në kodin e etikës së ministrave, atë që vetë Rama, me zë dhe figurë e ka shpalosur dhe reklamuar me rastin e prezantimit të qeverisë së re.
“Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju. Në 29 prill ka hyrë në fuqi kodi i ri etik për këshillin e ministrave, i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjësve të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nën shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”- ishte pyetja gjullurdibërëse.
Rama ndërhyri menjëherë:
“Ti do kalosh një riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në konferenca shtypi.”
View this post on Instagram
Në një kohë kur bashkëshorti i kryediplomates shqiptare, Olta Xhaçka akuzohet si investitor i shpallur me vendim qeverie, pyetja e gazetarit qëndron brenda vijës logjike të të bërit gazetari. Dhe pikërisht këtu fle problemi. Të bërit pyetjet e duhura të shpie në përjashtim, “riedukim” tremujor.
Teksa kryeministri e justifikoi vendimin e tij të menjëhershëm me “pahishmërinë” e gazetarit, pyetja është një dhe e vetme: Ku e shkeli Klevin Muka etikën?
Është e dyta herë, që i riu zë ngushtë bujshëm kryeministrin e vendit, me pyetje që përherë e më shumë po dëgjohen rrallë në vend. Konferencat për shtyp janë kthyer në orë të stërgjata monologu e dëliri, ndërkohë që përfaqësuesit e mediave rezultojnë fare inekzistentë. Gazetarë që shkojnë me pyetje të diktuara nga lart, pyetje që i shkojnë për shtat kryeministrit dhe që nuk guxojnë aspak të turbullojnë ujrat. Por pyetje si kjo e sotmja po ia dalin të sikletosin jo vetëm qeverinë, por dhe rrethin e gazetarëve, të cilët e dinë se nuk po e bëjnë siç duhet punën. U mungojnë ato, pyetjet!
Ajo çfarë paraqitet gjithashtu e patolerueshme, madje alarmante është përvetësimi kokë e këmbë i zyrës kryeministrore nga Edi Rama. Zyra e tij nuk është private, çfarë nënkupton se nuk mund të ndalojë nga hiçi gazetarët për të bërë pyetje.
Një tjetër sikletosje kryeministrore do të vinte më herët për Ramën, po nga Muka. Ky i fundit, do t’i drejtonte një pyetje lidhur me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjën, teksa ky i fundit ndodhej aty, i pranishëm.
“Morali është një aspekt i rëndësishëm, ndaj dua t’ju pyes sa e moralshme është për ju që t’i bëni këto kërkesa SPAK, ku në krahun tuaj ndodhet Ulsi Manja që në përgjimet e Bild të dosjes 184, e dëgjohet të thotë se premton favore ndaj Robert Agës, ish-drejtorit të Komisariatit të Dibrës, “na duhesh për më nalt o burrë”, “na themi për më nalt o burrë’”, sot Manja është këtu pranë jush është Ministër i Drejtësisë nuk është nën hetim dhe në asnjë institucion të vuajtjes së dënimit.”
Debati vijoi kështu:
Rama: Po pse qesh kur e thua këtë, bëre një lloj diskursi këtu që është jashte etikës profesionale. Pse qesh kur reciton?
Gazetari: Të lutem, etikën profesionale nuk mund të ma tregoni ju, nëse në pikturë mësohet më shumë se në gazetari, atëherë vazhdoni.
Rama: Gjyshja ime thoshte: “Sulle labbra degli stolti abbonda il riso”. (Në buzet e budallenjve shndërrin buzëqeshja).
Një goditje shqetësuese kjo për Ramën, që si pakherë do ta linte të shtangur për disa sekonda dhe pikërisht në zonën më të rehatshme për të, atë të konferencave për shtyp.
Por ky nuk është rasti i parë, që në linjën propagantistike të medias shqiptare, ndodh një devijim. Ambrozia Meta do të dërgohej gjithashtu në “riedukim” për 60 ditë nga kryeministri Rama. Një kosto që duhet të paguante, thjesht dhe vetëm se bëri gazetari. Meta mëkatoi njësoj si Muka, drejtoi pyetjen e duhur!
E reja gozhdoi Ramën për rastin e Alqi Bllakos, duke e lënë pa mundësi dredhimi apo lojëra fjalësh përballë kamerave.
Ironik në fakt, përdorimi i termit “riedukim” nga kryeministri, i cili nga ana e tij e ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje etikën, gjatë diskutimit me gazetarët. Termi “kazan” mori jehonë si lajtmotivi i përbuzjes dhe ofendimit kryeministror ndaj gazetarëve, teksa sistematikisht nuk mungon gjuha agresive dhe fyese ndaj tyre. E pra, kush duhet të përjashtojë kë?/ Zoom.al