Aplikacion
Sipas Manjës, ligji i Amnistisë ka për qëllim të ndihmojë të dënuarit e mitur dhe gratë më së shumti, por është i domosdoshëm edhe për shkak të mbipopullimit në burgje dhe rritjes së eficiencës në këto institucione.
Ai tregoi kategoritë që përfitojnë nga Amnistia, rreth 700 të burgosur e 2 000 në shërbim prove si edhe ata që përjashtohen.
“Nga Amnistia do të përfitojnë të dënuarit burra që janë dënuar me 3 vite burg, ose që i kanë mbetur dhe 3 vite burg. Gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose që i kanë mbetur dhe 4 vite. Përfitojnë gratë që janë +50 vjeç dhe burrat +60 vjeç në momentin që hyn ligji në fuqi. Të gjithë të miturit që kanë kryer krime” sqaroi ministri i Drejtësisë.
Manja theksoi se nga Amnistia janë përjashtuar veprat me rrezikshmëri të lartë, vrasja, plagosja e rëndë, dhuna në familje, terrorizmi, shpërdorim detyre, korrupsion dhe të gjitha veprat penale që lidhen me shpifjet, ndërhyrjet në jetën privatet etj.
Të përjashtuar nga amnistia, sipas Manjës, janë edhe ata që kanë ndërtuar në tokën e tjetrit ose në tokën shtetërore.
Lidhur me mbipopullimin e burgjeve, ministri Manja tha se Amnistia është e vetmja mënyra për të menaxhuar këtë sistem.
“Jemi plus 190 të paraburgosur dhe të dënuar më shumë sesa kemi kapacitete. Nëse kemi 5.818 të paraburgosur dhe të dënuar kapacitetet tona janë plus 190 më shumë. Referuar standardeve të BE, nuk do duhet të kishim këtë numër personash të paraburgosur. 2204 kemi të dënuar dhe po t’u referohemi standardeve të BE do duhet të kishim 30% si maksimum të numrit të paraburgosurve në raport me të dënuarit. 180 me burgim të përjetshëm. Nuk përfshihen ata që janë në shërbim prove, 11.290 persona. Jemi tek 2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE. Jemi mbi kapacitetet. Amnistia është një masë e domosdoshme për të menaxhuar këtë sistem, që është në gjendje mbipopullimi”, tregoi ministri.
Deputeti i PD-së zyrtare, Enkelejd Alibeaj prezantoi shkurtimisht dhe amendamentin e propozuar nga ai, që synon përfshirjen e protestuese (vitet 2018-2020) në Amnistinë Penale.
Kjo Amnisti është një akt mëshire për personat që janë në duart e drejtësisë. Ne do t’i marrim të gjitha propozimet nga amendamenti i Alibeajt, por edhe deputetë të tjerë, do t’i konsultojmë, duke marrë në konsideratë qëllimin e këtij drafti. Do të na duhet pak kohë. Nuk po e bëjmë për të gjykuar veprimet e policisë, por për të falur të dënuarit”, përfundoi ministri Manja.