zoom

Bota

Pas sherrit me Zelenskin/ Trump do të njoftojë sot lajmin e madh

Agjencia e lajmeve Reuters ka njoftuar se Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen e shumë përfolur për mineralet pas përplasjes së fortë mes dy presidentëce në Zyrën Ovale.

Sipas katër burimeve të Reuters, Presidenti Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë vendimin në fjalimin e tij në Kongres më vonë këtë të martë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment lidhur me lajmin.

Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi të diskutueshëm në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë. Zelenskiy kishte mbërritur në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen. Në atë takim, Trump dhe Zëvendës Presidenti JD Vance e qortuan Zelenskin, duke i thënë atij se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e tyre në vend që të kërkojë ndihmë shtesë para mediave amerikane. “Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump.

Zyrtarët amerikanë kanë folur ditët e fundit me zyrtarët në Kiev për nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, pavarësisht nga shpërthimi i së premtes, dhe u kërkuan këshilltarëve të Zelenskiy që të bindin presidentin ukrainas që t’i kërkojë falje hapur Trumpit, sipas një prej njerëzve të njohur me këtë çështje.

Të martën, Zelenskiy postoi në X se Ukraina ishte gati të nënshkruante marrëveshjen dhe e quajti takimin e Zyrës Ovale “për të ardhur keq” duek shprehur kështu pendesë.

“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç duhej të ishte”, tha Zelenskiy në postimin e tij. “Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë më afër paqen e qëndrueshme.”

Mbetet e paqartë nëse marrëveshja ka ndryshuar. Marrëveshja që do të nënshkruhej javën e kaluar nuk përfshinte garanci të qarta sigurie për Ukrainën, por i dha SHBA-së akses në të ardhurat nga burimet natyrore të Ukrainës. Gjithashtu parashikonte që qeveria ukrainase të kontribuonte me 50% të fitimit të parave të çdo burimi natyror shtetëror në një fond investimi rindërtimi të menaxhuar nga SHBA-Ukraina.

Postime të lidhura