Aplikacion
“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.
Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Për stafin e USAID jashtë vendit, Uashingtoni është duke e përgatitur një plan në koordinim me Departamentin e Shtetit dhe do t’i mbulojë shpenzimet e udhëtimit të personelit për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditësh, thuhet në njoftim.
Udhëheqësia e USAID-it do të shqyrtojë bërjen e përjashtimeve bazuar në vështirësitë personale ose shqetësimet mbi lëvizshmërinë dhe sigurinë, sipas njoftimit.
Në njoftim u theksua se personeli thelbësor që pritet ta vazhdojë punën do të njoftohet nga udhëheqësia e agjencisë deri të enjten, 6 shkurt.
“Faleminderit për shërbimin tuaj”, u tha në fund të njoftimit.
Presidenti Trump synon ta bashkojë USAID-in, agjencinë kryesore humanitare të Uashingtonit që ndan miliarda dollarë ndihma jashtë vendit, me Departamentin e Shtetit, si dhe ta shpërbëjë atë si ent të pavarur.
Të hënën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tha gazetarëve se ai tani është administrator në detyrë i USAID-it, duke theksuar se kjo agjenci “nuk përgjigjet fare” dhe duke e akuzuar stafin atje se është “i papërgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve të thjeshta” në lidhje me programet.
Ai e njoftoi Kongresin në një letër për riorganizimin e agjencisë, duke thënë se disa pjesë të USAID-it mund t’i bashkohen Departamentit të Shtetit, ndërsa pjesët e mbetur mund të zhbëhen.
Por, meqenëse Kongresi e themeloi USAID-in si një institucion të pavarur brenda degës ekzekutive, presidenti nuk e ka autoritetin ta shfuqizojë atë pa autorizimin e Kongresit, sipas një raporti të CRS-së këtë javë.
Qindra programe të USAID-it, që ofrojnë ndihmë jetike në mbarë botën, u ndalën pasi Trumpi, më 20 janar, urdhëroi ngrirjen e shumicës së ndihmës amerikane, duke thënë se ai dëshiron të sigurohet që ajo të jetë në përputhje me politikën e tij të jashtme.
Ai i ngarkoi miliarderin Elon Musk, i cili pretendoi se USAID-i është organizatë “kriminale”, me detyrën për ta tkurrur agjencinë.
Në vitin fiskal 2023, Shtetet e Bashkuara i ndanë 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën për shumëçka, nga shëndeti i grave në zonat e konfliktit, te qasja në ujë të pastër, trajtimet për HIV/AIDS, siguria energjetike dhe puna kundër korrupsionit.
Financimi, më pak se 1% e buxhetit total të Shteteve të Bashkuara, është thelbësor për përpjekjet e Uashingtonit për të ndërtuar aleanca në mbarë botën, për të forcuar diplomacinë e tij dhe për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia në vendet në zhvillim./REL