zoom

Aktualitet

Pas lajmit se peshqit u rikthyen në lumin Gjanica, 2 kompani e rindotin me hidrokarbure!

Nuk zgjati shumë lajmi i gëzueshëm që u raportua pak ditë më parë se lumi Gjanica ishte pastruar dhe peshqit u rikthyen në ujërat e pandotura.

Dy kompani private në Fier konfirmohet se derdhën mbetje të hidrokarbureve në lumin Gjanica, duke e rindotur atë, teksa Policia njoftoi  se ka nisur hetimet për 3 persona, mes tyre dhe dy drejtorë.

Policia sqaroi se kishte informacione për ndotje të lumit Gjanica, nga shkarkimi i mbetjeve të hidrokarbureve.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me ata të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për ndotjen”, theksohet në njoftim.

Më tej sqarohet: “Në përfundim të këtyre veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-K. A., 34 vjeç, me detyrë drejtor i Qendrës së Prodhimit të Naftës, Fier, dhe S. A., 35 vjeç, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Dekantimit, Patos, në një kompaninë private Sh. A.;
-E. B., 61 vjeç, me detyrë drejtor i operacioneve të hidrokarbureve, në një kompani tjetër private, gjithashtu Sh. A.

Nga hetimet rezulton se 2 kompanitë private ku janë punonjës përgjëgjës këta 3 shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”. /ZOOM.AL/