zoom

Politikë

Pas helmimit nga uji në Krujë, Rama show me kryebashkiakët për ujësjellësat

Helmimi masiv i ndodhur në qytetin e Krujës duket se zuri ngushtë qeverinë, çka solli realizimin e një mbledhjeje mes kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe kryebashkiakëve, ku u ndërmor një analizim i performancës së Ujësjellësve në mbarë vendin.

Si për t’u zhveshur nga përgjegjësitë, Rama nuk kurseu kritika të drejtpërdrejta ndaj vartësve të tij. Me tone te ashpra, që e vetëpërjashtonin prej “fajit”, a thua se nuk ishte vetë ai kryeministri i tetë viteve të fundit në vend, Rama foli për shpërdorim dhe keqmenaxhim fondesh, lidhur me çështjen në fjalë.

“Kokë turku”, me shumë se të gjithë të tjerët u bë Dritan Leli i Bashkisë së Vlorës, ku sipas Ramës, kjo e fundit është kampione në rritjen e humbjeve.

“A jeni në dijeni të performancës së ujësjellës kanalizimeve në bashkinë tuaj të shërbimit që ofrojnë për qytetarët? E keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike? Dhe pyetja e tretë, sa fonde keni alokuar nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë? Faktit flasin vetë dhe fakti i fundit që ishte si pika që ka përmbysur këtë kupë është fakti që ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet dhe pastaj qytetarët me të drejtë ankohen.

Rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Duhet të përputhet me një ulje të humbjeve dhe sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur mu në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vite që nuk mbyllet dot menjëherë por në nivelin e administrimit nuk po jep shenja që nuk ka tendencë të zgjerohet. Kam listën këtu dhe nuk po hyj t’i marr me radhë. Kampioni bashkia e Vlorës, 78.9% humbje. Si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe nuk është një mall që mund të trajtohet si çdo tjetër. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori? Si mundet që këta drejtorë ujësjellësish të jenë akoma në punë dhe numri i të punësuarve është sa një armatë”, do të shprehej Rama, një deklaratë që kumboi çuditshëm.

A nuk ishte vetë ai që i emëroi këta kryebashkiakë në detyrë dhe mbi të gjitha pse u fol pikërisht tani, pas helmimit të qindra qytetarëve? Ku ishte kryeqeveritari më herët, për të kapur në kohë shkeljet, për t’i frenuar ato dhe ndëshkuar përgjegjësit./@Zoom.al

Postime të lidhura