zoom

Politikë

Pas 14 orësh debat, Kuvendi miraton projektin e Portit të Durrësit/ Rama nuk voton

Në një seancë që ka zgjatur për më shumë se 14 orë e mes debateve dhe akuzave që kanë mbërritur nga opozita duke e cilësuar si “aferën më të madhe korruptive”, Partia Socialiste ka miratuar me votat e saj marrëveshjen për Portin e Durrësi.

Kuvendi i ka dhënë “jetë” projektit të “Durrës Yachts & Marina”, duke “asgjësuar” 800 mijë metër katrorë truall të portit tregtar . Të pranishëm në sallë ishin 107 deputetë, ku ia vlen të theksohet që kryeministri Edi Rama mungoi.

E cilësuar nga kreu i PD, Sali Berisha si mega-afera më e madhe në Europë pasi arrin në shifrën 3 miliardë dollarë dhe shteti përveç tokës publike humbet edhe fitimin nga taksat përmes skemës së përjashtimit të investitorit, marrëveshja u votua me 74 vota pro dhe 35 kundër.

Pas shumë kohësh të ndarë, kjo seancë plenare “bashkoi” opozitën të cilën si rrallë herë kanë ndarë të njëjtin mendim për një çështje, siç është ky projekt. Kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj tha se ky projekt do kthehet në aferën më të madhe të pastrimit të parave të krimit.

“Na vika një investitor mbi qilim fluturues e na vinka me vetëm 80 milionë euro. . Si mund të gëzohesh kur në këtë vend vjen paraja e krimit, që do të sjellë refuzimin e këtij vendi nga BE, ky është rreziku i madh, e hedh Shqipërinë në honet më të errëta të botës së perëndimit”, tha Alibeaj.

Pikërisht, diskutimi i kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Emaar” për transformimin e portit të Durrësit e futi Parlamentin në kaos. Lideri demokrat Sali Berisha bllokoi foltoren e Parlamentit dhe pasi iu ndërpre fjala, zoti Berisha i rrethuar nga punonjësit e Gardës, nisi transmetimin e fjalës “live” në “Facebook”. Berisha e quajti kontratën si plaçkitja më e madhe në historinë e Shqipërisë. Kurse Edi Rama shpërtheu në sulme ndaj opozitës. Madje, kreu i qeverisë përdori Nolin e Konicën për të etiketuar opozitën. Kryeministri u mundua që të sqarohej se po fliste jo me fyerje, por me gjuhën e mësuesve të vetë, duke përmendur emra shkrimtarësh shqiptarë. Janë 62 fraza fyese të kreut të qeverisë ndaj rivalëve të vetë politikë, gjatë 3 fjalimeve të tij në Kuvend, në intervale të ndryshme. Fyerjet kulmuan në fjalimin e tretë 53- minutësh të Ramës.

Deputetët e opozitës votuan kundër dhe pretenduan se pyetjet dhe paqartësitë e tyre nuk u sqaruan nga përfaqësuesit e qeverisë.

Ata ngritën shqetësimin për mungesë transparence në negociatat e zhvilluara mes qeverisë dhe investitorit arab, Muhamed Alabbar, dhënia pa garë, shkatërrimin e portit të mallrave dhe mungesën e një garancie financiare sipas ligjeve në fuqi. Dhurata Çupi ishte e vetmja nga opozitarët që voti buxhetin 2023, edhe pse në foltore foli kundër.

Unioni anuloi një ditë më parë grantin prej 28 milionë euro për projektin e Portit të Durrësit. Në një reagim për REL, zyra e BE-së në Tiranë, thoshte se shkak për anulimin e grantit, ishin modifikmet e bëra në projekt.

Ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi nga Kuvendi se kishte qenë ajo e cila kërkoi me shkresë anulimin e kredisë, që sipas saj ishte për shtimin e rezervave të grurit dhe qymyrit në Portin e Durrësit.

Sa i përket projektit ai parashikohet të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi i kalon në pronësi kompanive.

Aty parashikohen të ndërtohen 12.000 apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma në total. Faza e parë nis në 2023 dhe zgjat për 5 vite, ndërsa investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro.

Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila qeveria ka 33.3% të dividentit. Sakaq, parlamenti ka votuar me 77 vota pro dhe 35 kundër Buxhetin 2023.

Postime të lidhura