zoom

Sport

Partizani merr kreun, Colella: Derbi të jep karikim ekstra, nuk mund të flas për titullin

Partizani ka dalë triumfues nga “Air Albania”. Të kuqtë kanë fituar me rezultatin 2-0 derbin e zjartë të kryeqytetit kundër Tiranës dhe rimarrin kreun e Superiores.

Mba zhbllokoi sfidën në minutën e 20, ndërsa Telushi humbi një penallti. Gjithsesi për të shënuar golin e qetësisë mendoi Tedi Cara në minutën e 80.

Dy gola që në fund vlejnë tri pikë për Partizanin, i cili shkon kështu në krye të renditjes me pikë të barabarta me Tiranën, 40.

Pas përfundimit të derbit, trajneri Giovanni Colella, u shpreh në emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport”, se ishte një ndeshje që foli për “Demat”.

Skema dhe strategjia – “Unë me pasaportë jam italian, nuk më pëlqen të bëj italianin në futboll. Por di ta bëj. Ka momente që mentaliteti i lojtarëve bën diferencën në fushë. Nuk ishte një fundjavë e vështirë. Të gjitha javët janë të vështira për Partizanin, si përpara derbin, ashtu edhe pas derbit”.

Karikimit ekipit pas humbjes me Vllazninë – “Këtë nuk do jua them kurrë. Në ndryshim nga ndeshja me Vllazninë, skuadra ka bërë presion më shumë. Në ndeshjen me Vllazninë ka pasur probleme në repartin e mbrojtjes”.

Titulli – “Mendoj se luajmë ndeshje pas ndeshje, nuk kemi luksin të mendojmë për gjë tjetër”.

Tedi Cara – “Jam shumë i kënaqur për mënyrën se si Cara hyri në lojë. Mendoj të mos flasim më për lojtarë që nuk luajnë, apo nuk aktivizohen, pasi është idiotësi. Treguam që skuadra është e bashkuar. Nëse një lojtar nuk luan, është i nevrikosur, dhe futet sot në fushën e lojës e jep gjithçka, atëherë mendoj se tani jemi një skuadër”.

Vazhdimësia – “Nuk jam unë që hyj në fushë, jam i shqetësuar për ndeshjen e javës së ardhshme se sot isha i qetë. Sot edhe mund të qëndroja në shtëpi, nuk ishte ky problemi. Presim të gjithë ndeshjen e ardhshme për të festuar”. /zoom.al/