zoom

Lajme

Partizani do Superioren, mund Skënderbeun dhe shkon në finale. Reagimet, sot Vllaznia-Egnatia

Partizani shkon në finalen e Superiores dhe pret ekipin tjetër mes Vllaznisë dhe Egnatias që luhet sot në mbrëmje, për të siguruar titullin kampion.

Të kuqtë  fituan mbrëmë në “Air Albania”, duke siguruar një biletë për në finalen e titullit. Ekipi i Orges Shehit thyen minimalisht Skënderbeun me rezultatin 1-0 duke “fluturuar” në finale. “Demat” ishin dominues në këtë sfidë duke marrë kontrollin e lojës që në minutat e para, zhvilluan një presion asfiksues në zonën e Skënderbeut, por ishin të paqartë në pasin final.

Bintsuka dhe pjesa e tjetër e ekipit shpërdoruan shumë përpara porte duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola. Me fillimin e pjesës së dytë, Rrapaj futi një kros perfekt në zonë aty ku Bintsuka me kokë dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar avantazhin Partizanit. Skënderbeu ishte i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa Partizani vuajti shumë për të “vrarë” këtë gjysmëfinale. Me kalimin e minutave, kryeqytetasit menaxhuan si duhet rezultatin duke e kthyer në festë fundin e këtij takimi. Në finalen e titullit, Partizani do të përballet me fituesin e çiftit Egnatia-Vllaznia.

Orges Shehi, trajneri i Partizanit, shijon këtë fitore përballë, por nuk feston përpara kohe, në një kohë kur është për t’u luajtur edhe finalja e madhe ku tekniku i “demave” nuk ka preferenca mes Vllaznisë dhe Egnatias:

“Na pret një ndeshje tjetër, gëzohem që Cara dhe Taipi u bashkuan së fundmi. Jemi të plotë dhe mund të bëjmë zgjedhje në bazë të kundërshtarit. Jem itë kënaqur pë finale. Na pret një javë për t’u rikuperuar e përgatitur. Jemi shumë të kënaqur për kontigjentin dhe vazhdimësinë, 6 fitore rradhazi. Duam të vazhdojmë me këtë ritëm, disa elementë ndryshojnë në bazë të kundërshtarit. Vazhdimësia të jep besim, por duhet përqëndrim pasi ndryshe lirohesh pak. E rëndësishmë është që shkojmë në finale me një përformancë të mirë. Kur të mungojnë lojtarët duhet të modifikosh dhe kur të vijnë lojtarët… dhimbja e kokës vjen vetëm për të marrë rezultatin. Trajneri nuk rri ndonjëherë pa dhimbje koke.

A ndikon fanella? Patjetër, këtë javë e kemi përgatitur me qetësi, siç përgatisim derbet. Kemi marrë 64 pikë, vjet morëm 67. Sot u sollëm si favorit dhe më vjen mirë që kemi këtë mentalitet. Duhet të jemi gjithnjë kërkues në çdo moment e sekond. Ndryshimi i modulit në fund? Kishim pak frikë nga Murataj pasi ishte me karton. Skënderbeu po shtynte para dhe kërkova të kem një 5-she në mbrojtje e më pas të nisemi në kundërsulm. Kjo ishte edhe prej rezultatit.

Egoizmi i lojtarëve në pjesën e parë? Sulmuesit kur dalin në zonë është e vështirë të shërbejnë. Unë u kam thënë që kur te jenë në metrat e fundit të fantazojnë, nuk u kërkon njeri llogari. Unë dua që ata të jenë aty prezent, edhe pse duhet të përmirësojmë shënjestrën. E rëndësishme është që sakrifikuam duke shkuar edhe në mbrojtje. Më kënaq konsumi i sulmuesve. Ishte ndeshje me siklet pasi kishim edhe barazmin që mund të na ulte vëmendjen. Kërkova të bllokonim aksionin e tyre që në nisje. E zgjidhëm mirë duke bërë presion e kundërshtari luante me top të gjatë.

Egnatia apo Vllaznia? Të dyja të forta, finalja është finale. Unë nuk kam preference. Kur ke 2 rezultate në favor mund të kthehet në anë negative pasi ul vëmendjen. Besoj se do të jetë një ndeshje ku dy skuadrat do të luajnë. Të shohim kush shkon në finale”, u shpreh Shehi.

Kurse Skënderbeu ishte befasia e madhe e këtij edicioni, me korçarët që siguruan një biletë për në “final-four”, por aventura e tyre përfundoi në fazën gjysmëfinale teksa pësuan një humbje 1-0 kundër Partizanit. Ivan Gvozdenovic, trajneri i Skënderbeut pranoi se mbase ky ishte limiti i këtij ekipi:

“Ky vit ishte shumë i suksesshëm për ne. Ndoshta ky ishte maksimumi ynë. Besonim se mund të shkonim në finale, por Partizani e meritoi fitore. E përgëzoj Partizanin. Mund të bënim më mirë. Partizani ishte skuadra më e mirë që në fillim. Nga fundi ishim skuadër sulmuesi dhe po i provonim të gjitha. Sot nuk ishim në ekuilibër, nuk ishim agresivë. Nuk ishim shumë të shpejtë në tranzicion.

Kjo është arsyeja përse fitoi Partizani. Kishim besim se do të shkonim në finale, por këto 2-3 gjëra nuk shkuan mirë. Kundërshtari i Partizanit në finale? Shumë e vështirë ta them. Edhe Vllaznia, edhe Egnatia janë shumë të fortë”, u shpreh Gvozdenovic. /ZOOM.AL/