zoom

Politikë

Pamjet/ Nga votimi familjar tek largimi i gazetarëve: Incidentet që shoqëruan votimet në Rrogozhinë

Zgjedhjet e 23 korrikut në Rrogozhinë u shoqëruan me shumë incidente nga nisja deri në përfundim të procesit të votimit.

Fillimisht një votues u kap duke fotografuar votën dhe u vu re prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit. Në një njoftim për shtyp të dielën, KQZ u tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve politikë dhe kandidatëve që të respektonin heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.

Gjithashtu, KQZ tërhoqi vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit, edhe pse kjo nuk u shmang dot.

Votimi familjar ishte një tjetër parregullsi në zgjedhjet e Rrogozhinës. Në video shihet se familjarët ndihmojnë të moshuarën që të votojë.

 

Po ashtu, disa gazetarë treguan se kishin hasur pengesa në raportimin e tyre. Ata janë larguar nga qendrat e votimit dhe janë mbyllur me celës.

 

Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolli fitoi zgjedhjet e përsëritura për bashkinë Rrogozhinë me 1702 vota më shumë se kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Sipas rezultatit final të publikuar të hënën në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Memolla ka marrë 6658 vota ose 1538 vota më shumë se në 14 maj, ndërsa kundërshtari i tij Hoxha ka marrë 4906 vota, duke humbur 191 vota nga rezultati i 14 majit.

Në zgjedhjet e së dielës pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit, nga 32% ne 36% dhe krahasimi i rezultateve tregon se kjo pjesëmarrje ka favorizuar Memollën.