zoom

Aktualitet

Pamje/ Tokat shqiptare pushtohen nga karkalecat, por Ministria e Bujqësisë nuk reagon

Bujqësia shqiptare vijon të jetë e rrezikuar nga kolonitë e karkalecit maroken që po dëmtojnë masivisht të mbjellat duke dëmtuar rëndë fermerët dhe jo vetëm.

Në muajin qershor, Ministria e Bujqësisë bëri një ndërhyrje, por për fermërët masat e marra nuk ishin aspak të mjaftueshme pasi dezinfektimi nuk u bë në kohën e duhur. Tani situata sipas tyre ka agravuar më tej dhe pesimistë deklarojnë se po mbledhin “çfarë të munden” nga kulturat që kanë mbetur pa u prekur.

Sipas të dhënave, zonat më të infektuara janë ajo e Divjakës dhe e Belshit, përkatësisht me një sipërfaqe prej 1000-1100HA ku dëmet më të mëdha janë bërë në sipërfaqet e mbjella me foragjere dhe shalqi.

Rreth 10% e kësaj siperfaqeje totale, ka vatra të fazave larvare të ndryshme, nga stadi i parë deri në të katërtin.

Alban Çakalli, një prej fermerëve, ndërsa flet për seriozitetin e situatës, i konsideron kolonitë e karkalecave si “një bombë” që do të shpërthejë në murtajë vitin tjetër.

“Karkaleci maroken është një polifag që konsumon mbi 150 lloje bimësh të ndryshme. Reshjet e shpeshta të shiut kanë ndikuar që ata të lëshojnë miliona vezë dhe të ketë mbi tre çiftëzime. Vezët janë lëshuar në brigje kanalesh që kanë vite pas u pastruar dhe punimi i tokave në muajin gusht do të zhdukte pjesën më të madhe të vezëve”, ka deklaruar ai.

Më tej Çakalli shton se me 450 mijë euro insekticid që Ministria hodhi në zonat e infektuara, zgjidhja mund të kishte qenë tjetërsoj.

“Me ato para po të bliheshin pula deti dhe t’iu dhuroheshin fshatarëve në vatrat e infektuara, do të kishim jo vetëm një luftë biologjike perfekte por edhe pula deti plot”, deklaron ai ndërsa thekson se Shqipëria krahas Afganistanit janë dy nga vendet që janë prekur më së shumti në botë këtë vit.

“Afganistani humbi një të katërtën e prodhimit bujqësor nga karkaleci në vitin 1981. Vitin e ardhshëm Shqipëria dhe Afganistani do të kenë të njëjtin dëmtim”, thekson mandej ai.

Sipas vrojtimit fushor të Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes së Bimëve struktura e popullatës së karkalecave është e përbërë nga karkaleci italian dhe maroken.

“Është një dëmtues i zakonshëm dhe në kushte të veçanta mund të marrë formën e një pandemie, duke shkaktuar dëme në parcelat bujqësore. Është viti i dytë që ky insekt shfaqet në të njëjtat zona, duke krijuar kështu një habitat të tij.

Për të marrë masat në kohë, Autoriteti i Mbrojtjes së Bimëve që prej vjeshtës së kaluar, ka njoftuar fermerët për masat që duhet të merren për të ulur infeksionin në zonat e identifikuara një vit më parë. Kultivuesit janë këshilluar që të bëjnë punime të thella të tokës dhe trajtimin e anëve të kanaleve, ku ky dëmtues vendos vezët”, deklaroi më herët ministria, në një njoftim me shkrim dërguar mediave.

Karkalecët kanë nisur të shpërndahen masivisht edhe në zonat urbane. Në rrjetet sociale “trendi” që nisi si shaka ku të gjithë tregonin karkalecat në apartamentet e tyre, duket se është kthyer tashmë në një shqetësim serioz që askush nuk di se si trajtohet dhe ku të drejtohen.

 

@drite.hije Na u ca karkaleci mer jahu #shqip #albania #shqiperia #insects #karkaleca #grasshopper #cricket #tiranaalbania #albaniatiktok #tiktokshqip #shqiptok #pertyshqip #fyp #foryourpage #tirana ♬ original sound – drite.hije