zoom

Aktualitet

Pallati që u përpi nga flakët në mes të Tiranës është i pabanueshëm! Ka rrezik për banorët

Instituti i Ndërtimit ka dalë në përfundimin se pallati që u dogj në zonën e ish-Parkut në Tiranë është i pabanueshëm.

Zjarri, sipas ekspertizës, ka shkaktuar dëmtime edhe në kolona dhe jo vetëm ne fasadë dhe për pasojë është i rrezikshëm për jetën e banorëve dhe duhet t’i nënshtrohet restaurimit.

“Struktura e objektit në gjendjen ekzistuese, pas ekspozimit ndaj zjarrit, nuk i plotëson
kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmerisë për ngarkesat maksimale statike apo dinamike të
parashikuara. Dëmtimet jane lokale, por mund të influencojnë të gjithë ndërtesën në saj
të fenomenit “domino”. Struktura duhet t’i nënshtrohet restaurimit dhe përforcimit të
elementëve strukturorë trarë, soleta apo edhe kolona, vetëm në zonën e dëmtuar, duke u
bazuar në një projekt përforcimi strukturor mjaft të detajuar për objektin perkatës,
mbështetur në dëmtimet e zjarrit të datë 14.09.2023. Deri në momentin e restaurimit
ndërtesa konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve dhe e papërdorshme”, thuhet në ekspertizë.

Më 14 shtator flakët përfshinë pallatin 10-katësh në rrugën “Sali Butka” në Tiranë, duke shkrumbuar totalisht katër apartamente.

Ndërsa 12 hyrje të tjera patën djegie të pjesshme.

Flakët dogjën totalisht dublexin në katin e fundit të pallatit, nga ku dyshohet se nisi gjithçka dhe depërtoi përmes fasadës së jashtme deri në katin e parë.